Tregtimi i prodhimeve të brumit, pastiçerisë apo produkteve të tjerë ushqimorë nga furrat e bukës ka rikthyer debatin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për këto subjekte. Sipas Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave, aktualisht janë rreth 4.000 furra buke që e paguajnë energjinë elektrike me një çmim preferencial prej 7.6 lekë/ kWh.
Ndërkohë që, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike edhe më herët ka pretenduar se tregtimi i produkteve të tjerë nuk mund t’i klasifikojë si furra buke e për pasojë ka kërkuar rritjen e çmimit për këtë pjesë të aktivitetit.
Përfaqësues të shoqatës, thanë për TV SCAN se ende nuk është përcaktuar sesi do të vijohet, ndërsa bënë me dije se zgjidhja e kësaj situate është e vështirë, pasi karakteristikat e këtyre subjekteve janë të ndryshme. Debati i fundit publik për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës është zhvilluar në vitin 2018, kur OSHEE nisi faturimin e subjekteve që mbanin frigoriferë me 14 lekë/kWh dhe jo me çmimin e reduktuar.
Kjo solli reagimin e shoqatës, që kundërshtoi këtë masë, teksa një sërë korrespondecash u zhvilluan në atë kohë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Entit Rregullator të Energjisë, ku një ndër kërkesat ishte që furrat e bukës me frigorifer, të paguanin vetëm 10% të faturës me çmimin e energjisë që faturohen bizneset, ndërsa 90% me tarifën e reduktuar.
Po ashtu, shpesh herë u pohua se rritja e çmimit të energjisë do të sillte edhe shtrenjtimin e bukës, teksa çështja u diskutua edhe në komisione parlamentare, ku u vendos që të vijonte tarifimi me çmim preferencial.
Burimi: Scan tv