Këshilli i Ministrave miratoi një ditë më parë Skemën Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2024, me 8 masa mbështetëse me një vlerë prej 3.4 miliardë lekësh, aplikimet e së cilës pritet të nisin më 27 mars. Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici në një intervistë në medie, foli për mënyrën se si do të ndahet kjo vlerë mes bashkimit të fermave dhe serave.
“2.1 miliardë lekë janë të dedikuara për 7 masat mbështetëse për kulturat e tjera dhe 1.3 miliardë është e dedikuar për skemën e mbështetjes me naftë. Është një skemë që vjen me disa risi. E para lidhet me rëndësinë që ka bashkimi dhe bashkëpunimi i fermerëve. Shuma e përfitimit është në varësi të aplikimeve pasi të bëhet një përpjestim i barabartë për të gjithë në fund”, tha Civici.
Risi e kësaj skeme është heqja e tavaneve për numër krerësh apo sipërfaqesh të mbjella me sera, ndërkohë që këtë vit janë përfshirë edhe kultivuesit e bimëve mjekësore.
“Si pasojë patjetër edhe e vuajtjeve që ka pësuar ky sektor nga ndryshimi i normës së këmbimit mundëm të ndërtojmë një element i cili i ndihmon në 30 mijë lekë të reja për hektarë për ferma jo më pak se 1 hektar”, tha zv/ministri.
Teksa vijon puna për të përcaktuar kriteret e përfitueshmërisë, zv/ministri Civici thotë se skema e naftës këtë vit eliminon burokracitë dhe abuzimet.
“Nuk do të ketë më karta direkt të naftës por do të kalojë shuma direkt në llogarinë bankare”, tha Civici. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar që deri në çelje të aplikimeve të zhvillojë fushata informuese me fermerët në të gjithë territorin e vendit, për të bërë skemën më gjithëpërfshirëse.
Skema përfshin mbështetjen për lopët në vlerën e 10 mijë lekë për krerë, 10 krerë në fermë.Mbështetjen për bagëtitë e imëta me 1200 lekë për krerë për tufa mbi 100 krerë për fermë.Mbështetjen për bletarinë në vleftën 1000 lekë për zgjua, ku ferma duhet të ketë të paktën 50 zgjoje. Mbështetjen për perimet, luleshtrydhet dhe rrushin tavolina- serra me një vlerë 200 mijë lekë për hektar, por jo më shumë se dy sezone dhe jo më pak se 1 ha fermë.
Mbështetjen për bimët mjekësore aromatike me një vlerë 30 mijë lekë/Ha, edhe këtu jo më pak se 1 ha tokë të kultivuar. Mbështetja e drejtpërdrejtë e subvencionit të naftës do të vijojë me të njëjtat kritere, por me një ndryshim thelbësor këtë vit, që nuk do të mundësohet me naftë dhënë me bidona apo formë tjetër nëpërmjet kartës, por lekë në llogari.
Marrë nga ATSH