Ditën e sotme nis shpërndarja e pensioneve të indeksuara në masën 8.6 % për 767 mijë të moshuar në mbarë vendin.
Nga vendimi më i fundit i qeverisë shqiptare përfitojnë të gjitha kategoritë pensionet e pleqërisë, pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet, në fshat, pensione që jepen për ndihma të posaçme shtetërore, etj.
Kjo rritje, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023, të matur nga INSTAT për kategorinë e pensionistëve
Për periudhën tetor – dhjetor 2023 efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.