Edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR nisi në mënyrë të ngjashme dhe në traditën e viteve të shkuara: një platformw madhështore e ngritur para Universitetit të Arteve si edhe mjedise krejtësisht të shndërruara dhe të mirëkuruara të oborrit dhe Amfiteatrit të Universitetit të Arteve.
Drejtori i DEA OPEN AIR, Edmond Topi përshëndeti të pranishmit, duke tërhequr vëmendjen për qëndrueshmërinë e markës DEA në secilin prej edicioneve të veta:“Pasi kemi lënë 10 vjet prapa, kemi 10 herë më shumë kurajo të shohim përpara: përmes shumë kontakteve, më shumë shkëmbime, më shumë produkte cilësore dhe forca të bashkuara në emër të njerëzores, të bukurës, sublimes, në emër të së ardhmes dhe gjithshkaje, që na bashkon… Festivali është një platformë e rëndësishme ku talenti dhe kreativiteti marrin jetë, duke krijuar një hapësirë për dialog dhe bashkëpunim ndërkombëtar. …”, tha Topi.
Konkurimin në Seksionin e filmit me metrazh të gjatë, e hapi filmi “Djali i diskos” (Disco Boy), me regji të Giacomo Abbruzzese, një bashkëprodhim kineastësh nga Italia, Franca, Belgjika, Polonia, i vitit 2023, i cili është një përfaqësues pretencioz i kësaj qasjeje përsiatëse në kinemanë bashkëkohore. Heroi i filmit, Aleksei, mbërrin në Paris për t’iubashkuar Legjionit të të Huajve, pas një udhëtimi të dhimbshëm nëpër Evropë. Ndërkohë, në deltën e lumit Niger,Jomo lufton kundër kompanive të naftës,që kërcënojnë fshatin dhe jetën e familjes së tij. Fati do ta puqë me Aleksein një ditë, kur ai, në krye të një grupi të armatosur, rrëmben disa shtetas francezë. Pas ndërhyrjes së komandos së Legjionit të të Huajve, drejtuar ngaAleksei, fatet e tyre do të shkrihen dhe lidhen përtej kufijve, trupave, jetës dhe vdekjes.
Edicioni I Dhjetë I Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR vazhdon. Oferta e tij shfaqet nga datat 9 – 13 Qershor 2024 në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, sallën e Kinema AGIMI-t dhe sallën e kinemasë së Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).