Në vitin 2019, prezantoi zyrtarisht makinën elektrike One, brenda një teatri rrotullues holandez. Eventi u zhvillua mbrëmjen vonë, në fund të të cilit, rrezet e para të diellit prekën sipërfaqen fotovoltaike të makinës. Tashmë Lightyear njofton se ka mbledhur 110 milionë dollarë (93 milionë euro) në një fushatë financimi. Objektivi është të sjellë në rrugë Lightyear One, makinën e parë diellore me rreze të gjatë në botë.
Shoqëria high-tech, me seli në Helmond, rreth 10 kilometra nga Eindhoven (Holandë), mbështetet nga Kooperacioni Dela dhe Joop van Caldenborgh. Dela është një sigurues ndërkombëtar. Van Caldenborgh është një sipërmarrës holandez, i njohur edhe si koleksionist arti dhe themelues i Muzeut prestigjioz Voorlinden në Wassenaar. Fondeve të mbledhura u shtohen edhe 10 milionë euro nga Shv, një kompani shumëkombëshe me të cilën Lightyear ka një marrëveshje nga fillimi i këtij viti.
110 milionë dollarët do të përdoren edhe që të përshpejtohet procesi i qarkullimit në rrugë të Lightyear One – makina mund të dalë në treg që në vitin 2022 si dhe për krijimin e një selie të re ku do të prodhohen çati diellore. Kompania holandeze njoftoi se prototipi i saj përshkoi 440 milje (710 kilometra) me një rikarikim të vetëm të baterisë.
“Një rast historik”
Mbështetja e madhe e investitorëve konfirmon që kauza, në fund të fundit, na prek të gjithëve. Misioni i Lightyear mund të revolucionarizojë lëvizshmërinë dhe ta bëjë atë më të qëndrueshme. “Jemi përballë një mundësie historike për tregun” – deklaroi CEO dhe bashkëthemeluesi i Lightyear, Lex Hoefsloot. “Ne do të prezantojmë automjetet e para që rikarikojnë baterinë drejtpërdrejt nga dielli, plotësisht pa pagesë. Është e bukur të shohësh përkrahjen e investitorëve, gjë që dëshmon besimin që kanë te Lightyear”.
Risitë e tjera të Lightyear One
Fotovoltaiku nuk shërben vetëm për të ushqyer plotësisht automjetin, por siguron autonomi shtesë. Vlerësimi i shtëpisë automobilistike është nga 8 në 59 kilometra në ditë, në varësi të kushteve klimatike dhe vendndodhjes gjeografike. Por panelet diellore nuk janë e vetmja risi e One. Makina, në fakt, është rimenduar nga e para, krahasuar me automjetet normale, për t’i dhënë eficencën maksimale. Trupi i makinës është ndërtuar për të qenë sa më i lehtë. Rrotat janë të mëdha dhe të ngushta për të zvogëluar fërkimin në rrugë.
Lightyear One do të dalë në treg në vitin 2022 si seri e parë ekskluzive, me vëllim të ulët, dhe çmim fillestar 176.000 dollarë (150.000 euro), duke përfshirë edhe taksat. Në verën e vitit 2021 do të prodhohen vetëm 946 njësi nga Valmet Automotive në Finlandë për shitje në BE, Norvegji dhe Zvicër.
Në lidhje me variantin për tregun e masës, parashikohet që të prodhohet në 2024. Për të bërë të mundur këtë, Lightyear thotë se po merr në konsideratë opsione të ndryshme (si publike edhe private) për mbledhje të mëtejshme fondesh.
Burimi: Forbes