Intervistë me Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e Statkraft për Shqipërinë
Ndryshimet klimatike paraqesin sfida për shumë sektorë dhe një ndër to është edhe energjia, e cila ka orientuar vëmendjen në rritjen e investimeve në energjinë e rinovueshme. Norvegjezët e Statkraft, të cilët kanë investuar në vendin tonë në kaskadën e lumit të Devollit, investimi më i madh në hidroenergji në vend pas kaskadës së Drinit, po vlerësojnë disa mundësi të reja. Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e Statkraft për Shqipërinë, jep disa detaje mbi këto zhvillime në intervistën për “Monitor”.
Në vitin 2022, kriza e energjisë shënoi kulmin e saj. Si ishte ky vit për Devoll Hydropower lidhur me prodhimin e përgjithshëm të energjisë nga kaskada në Devoll dhe ecuria e përgjithshme e kompanisë?
Viti 2022 ishte i jashtëzakonshëm. Tregjet rajonale dhe europiane të energjisë kanë qenë shumë të luhatshëm dhe në disa periudha, çmimi i energjisë ka shkuar deri në nivele ekstreme.
Kjo ka qenë sfiduese për shumë familje dhe biznese.
Si një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, Devoll Hydropower e vë theksin në trajtimin e situatës nëpërmjet menaxhimit të përgjegjshëm të energjisë.
Lidhur me prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet tona, duhet theksuar se në vitin 2022, hidrologjia në ujëmbledhësin e lumit të Devollit ka qenë shumë sfiduese, me reduktim të konsiderueshëm të prurjeve në rezervuarët tanë, krahasuar me prurjet historike.
Kjo ka rezultuar në reduktim të konsiderueshëm të sasisë së prodhuar të energjisë.
Krahasuar me vitin 2021, i cili ka qenë relativisht normal në aspektin hidrologjik, për shkak të kushteve të pafavorshme hidrologjike, sasia e energjisë elektrike që kemi prodhuar në vitin 2022 është pakësuar me rreth 28%.
Konkretisht, gjatë vitit 2022 kemi prodhuar rreth 490 GWh, krahasuar me rreth 683 GWh të prodhuar në vitin 2021.
Megjithatë, menaxhimi aktiv i energjisë dhe rritja e çmimit të energjisë ka rezultuar në një ecuri të mirë financiare të aseteve tona.
Viti 2023 është shfaqur më i favorshëm në prodhimin e energjisë dhe me çmime dukshëm më të ulëta se sa viti 2022. Ju si e parashikoni ecurinë e përgjithshme të këtij viti për kompaninë?
Në lidhje me çmimin e energjisë elektrike, viti 2023 deri tani vazhdon me luhatje të konsiderueshme të çmimit, edhe pse me nivel çmimesh më të ulëta se viti 2022.
Gjithashtu, kushtet e pafavorshme hidrologjike që kemi parë në vitin 2022 kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2023 dhe prodhimi ynë faktik i energjisë elektrike është më i ulët se mesatarja e planifikuar për këtë periudhë.
Pritmëria jonë për këtë vit është të kemi prodhim më të ulët se normalja, por me rezultate relativisht të mira financiare, për shkak të çmimit të energjisë në treg.
Pas krizës, tregjet janë bërë më të paparashikueshëm, ku rreziqet janë rritur me luhatje ekstreme. Por duket sikur tani jemi në një fazë më të qetë, ju si e shihni?
Pasojat e krizës së çmimit të energjisë vijojnë të shfaqen në treg. Luhatjet e paparashikuara në çmimin e energjisë dhe rreziqet e shtuara afatgjatë janë dy faktorë kryesorë që vazhdojnë të jenë të pranishëm në treg.
Nga sa kemi parë, kriza është shkaktuar nga faktorë jashtë tregut të energjisë elektrike dhe këta faktorë të jashtëm ende nuk janë stabilizuar.
Përveç efekteve negative të sjella nga rritja e çmimit të energjisë, ky moment nxjerr më në pah nevojën për rritjen e investimeve në energjinë e rinovueshme në të gjithë kontinentin, për të kufizuar pasojat e ndryshimeve klimatike.
Në këtë kuadër, ka potencial të konsiderueshëm për rritje të energjisë së rinovueshme në vend dhe rajon, gjë që duhet të promovohet më tej nga autoritetet.
Strategjia
Statkraft së fundmi ka rishikuar strategjinë afatgjatë dhe vizionin, me një angazhim për të investuar vetëm në energjinë e rinovueshme. Ashtu si në vende të tjera ku operon, Statkraft po shqyrton mundësi të tjera zhvillimi në energjinë e rinovueshme në Shqipëri. Vizioni i ri i Statkraft është të rinovojë energjinë që fuqizon botën, dhe këtu në Shqipëri po shohim mundësi për rinovimin e energjisë që fuqizon vendin dhe rajonin.
Bursa e energjisë ka nisur funksionimin, por volumet e tregtimit mbeten ende të kufizuara. Në këndvështrimin tuaj, çfarë ka sjellë kjo bursë sot në treg dhe cilat janë efektet pozitive që mund të priten në të ardhmen?
Fillimi i aktivitetit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike shënon arritje të rëndësishme në tregun e energjisë elektrike në Shqipëri.
Kjo ka treguar se Shqipëria është e angazhuar në reformat e sektorit të energjisë dhe vazhdon të bëjë hapa përpara në integrimin me tregun rajonal dhe kontinental.
Ne po vijojmë përgatitjet për t’u anëtarësuar në këtë bursë të energjisë elektrike dhe po mirëpresim pjesëmarrjen aktive në këtë platformë.
Presim që kjo bursë të jetë platforma bazë për aktivitetet e tregtimit të energjisë elektrike, për të reflektuar çmimin real të referencës për energjinë elektrike në Shqipëri dhe Kosovë, e integruar më tej me tregjet rajonale të energjisë.
Ne presim që bursa të jetë plotësisht funksionale, me sasi të shtuara të tregtimit të energjisë elektrike, si dhe me likuiditet më të lartë, qoftë për tregun e ditës në avancë, apo edhe për tregun brenda ditës.
Besojmë se kjo do të sjellë një treg të energjisë elektrike të qëndrueshëm dhe transparent.
Cilat janë projektet e Statkraft për investime të reja në Shqipëri?
Pas përfundimit të fazës së ndërtimit të Hidrocentraleve të Banjës dhe Moglicës, kemi filluar të shqyrtojmë optimizimin e mëtejshëm të burimeve të disponueshme hidrike në rezervuarët e këtyre hidrocentraleve.
Kemi identifikuar një mundësi zhvillimi, të cilën e konsiderojmë të vlefshme për ta shqyrtuar më tej. Ajo është në fazat fillestare të vlerësimit dhe përfshin analizimin e zhvillimit të një hidrocentrali me sistemin e rezervës së pompimit, si shtesë e rezervuarit tonë të Moglicës.
Statkraft së fundmi ka rishikuar strategjinë afatgjatë dhe vizionin, me një angazhim për të investuar vetëm në energjinë e rinovueshme.
Ashtu si në vende të tjera ku operon, Statkraft po shqyrton mundësi të tjera zhvillimi në energjinë e rinovueshme në Shqipëri.
Vizioni i ri i Statkraft është të rinovojë energjinë që fuqizon botën, dhe këtu në Shqipëri po shohim mundësi për rinovimin e energjisë që fuqizon vendin dhe rajonin.
Çmimet e energjisë
Pasojat e krizës së çmimit të energjisë vijojnë të shfaqen në treg. Luhatjet e paparashikuara në çmimin e energjisë dhe rreziqet e shtuara afatgjatë janë dy faktorë kryesorë që vazhdojnë të jenë të pranishëm në treg. Nga sa kemi parë, kriza është shkaktuar nga faktorë jashtë tregut të energjisë elektrike dhe këta faktorë të jashtëm ende nuk janë stabilizuar.
Burimi: https://www.monitor.al/statkraft-po-vlereson-mundesi-te-reja-investimi-ne-energjine-e-rinovueshme-2/