Me hyrjet e shtetasve të huaj që janë rritur me mbi 30% këtë vit, sezoni turistik edhe këtë vit pritet të shënojë një rekord të ri.
Por, të gjitha njësitë e lidhura me turizmin pritet të jenë nën kontrollin e rreptë të tatimeve, përfshirë dhe njësitë që janë dhënë më qira përmes Booking, apo Airbnb.
Administrata Tatimore ka njoftuar subjektet se është duke ndërmarrë projektin e menaxhimit të riskut në Sektorin e Turizmit (struktura akomoduese, bar-restorante, agroturizëm, shërbime plazhi, transporti qytetas e ndërqytetas, dhënia me qera e makinave/ambjenteve etj), me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për deklarim real dhe në kohë të detyrimeve tatimore.
“Duke qënë se Ju keni përfituar nga lehtësirat fiskale të dhëna nga qeveria shqiptare për këtë sektor, nëpërmjet aplikimit të shkallës së reduktuar të Tvsh-së 6% për strukturat akomoduese, e në shumicën e këtyre aktiviteteve normë të tatim- fitimit 0 deri në qarkullimin 14.000.000 lekë, Ju ftojmë të jeni përmbushës duke respektuar dispozitat ligjore në deklarimin me vërtetësi të të ardhurave tuaja”, thuhet në njoftimin e tatimeve.
Administrata tatimore disponon të dhëna të marra nga deklaratat dhe faturat e fiskalizuara të vetdeklaruara, ajo që furnitorët deklarojnë furnizime mallrash dhe shërbimesh, të dhëna nga palë të treta si agjenci shtetërore dhe platforma ndërkombëtare ndër to edhe Booking, AirBNB, Google etj.
Administrata Tatimore nxit subjektet të përmbushin detyrimin në lidhje me:
· Për cdo shitje të kryer nga ana juaj lëshimin e faturave të fiskalizuara me NIVF/ NSLF
· Deklarimin e çdo punonjësi dhe të pagës së tyre reale sipas profesioneve
· Blerjen e çdo malli me faturë të rregullt tatimore
· Deklarimin me saktësi e të dhënave në regjistrin e Tatimpaguesit
· Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambienteve
· Përdorimin vetëm të software-ve të çertifikuara të fiskalizimit
Mospërmbushja e pikave të mësipërme dhe cdo sjellje mospërmbushëse me qëllim mos regjistrimin në TVSH që vihet re në analizat e AT, ju kategorizon si subjekt me risk, ndaj të cilëve ndërmerren veprime verifikuese dhe monitoruese në vend nga ana e strukturave të monitorimit dhe verifikimit në terren, thihet në njoftimin e tatimeve./Monitor