Tregu shqiptar vitet e fundit ka një kërkesë të lartë për të rinj të shkolluar në arsimin profesional. Ndaj edhe studentët janë orientuar më shumë drejt arsimit profesional dhe lehtësisë që krijon vendi ynë për të gjetur një vend pune. Por jo gjithmonë ata janë gati për tu integruar ndaj praktikat profesionale u japin mundësi të punojnë përkrah profesionistëve dhe të përmirësojnë aftësitë menaxheriale të tyre. Një projekt që po jep një ndikim jashtëzakonisht pozitiv në Shqipëri është ai i Agjencisë zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Prej tre muajsh është lancuar faza e tretë e zbatimit të dy projekteve “Aftësi për Punë” (S4J) dhe projekti “Zhvillimi Aftësive për Punësim” (SD4E), zbatuar nga UNDP.
Në këtë fazë është parashikuar që të aplikohet “cilësia në të mësuarit përmes punës, marrëdheniët me biznesin, digjitalizimi në AFP etc”. Prej vitesh Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ka arritur të zvogëlojë hendekun që ishte krijuar mes tregut të punës dhe arsimit profesional duke përgatitur për një të ardhme të ndritur studentë që mbarojnë një specializim dhe përvetësojnë më shpejt një profesion. Projekti “Aftësi për punë” ka në fokus krijimin e lidhjes me kompanitë private dhe partnerë të tjerë, aplikimin e metodave të reja të mësimdhënies dhe standarteve të cilësisë , realizimin e praktikave mësimore në mjediset e biznesit etj. Hartimi i fazave të reja të projekteve është bazuar në Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2030 dhe në portofolin e Programit Zviceran të Bashkëpunimit në Shqipëri, duke integruar më tej mbështetjen e tyre në sektorin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri.