Tesla po tërheq më shumë se 1.6 milionë automjete në Kinë për probleme me softuerin e drejtimit dhe sistemet e mbylljes së dyerve. Tërheqja përfshin modelet e saj S, X, 3 dhe Y dhe 7538 automjete të importuara. Problemet do të rregullohen me përditësime në distancë të softuerit, që do të thotë se automjetet nuk do të kenë nevojë të dërgohen gjëkundi. Kjo ndodh më pak se një muaj pasi Tesla tërhoqi dy milionë makina në SHBA për shkak të problemeve të softuerit autopilot. Në maj të vitit të kaluar, rregullatori kinez tha se më shumë se një milion automjete mund të kenë probleme me sistemin e shpejtimit dhe frenimit. Gjigandi amerikan i makinave elektrike më pas zbuloi probleme me funksionet e asistuara të drejtimit dhe sistemet e mbylljes së dyerve. Rregullatori kinez, Administrata Shtetërore për Rregullimin e Tregut (SAMR), e përshkroi përditësimin e planifikuar të automjetit si një tërheqje, edhe pse do të ndodhë nga distanca. Tesla do të lëshojë një përditësim softuerësh për një total prej 1,610,105 automjetesh, duke përfshirë Modelet S dhe X të importuara dhe makinat Models 3 dhe Y të prodhuara në Kinë, të prodhuara nga 2014 deri në 2023, tha SAMR.
Rregullatori shtoi se kjo ishte për të trajtuar problemet me funksionin e autodrejtimit dhe për të zvogëluar rrezikun e përplasjes.
“Për automjetet brenda objektit të kësaj tërheqjeje, kur funksioni i drejtimit të asistuar automatik është i ndezur, shoferi mund të keqpërdor funksionin e kombinuar të asistencës së nivelit të dytë, duke rritur rrezikun e përplasjes së automjetit dhe duke paraqitur një rrezik sigurie,” shpjegoi SAMR.
Më vete, Tesla do të përmirësojë gjithashtu softuerin për 7,538 njësi të makinave Model S dhe X për të rregulluar problemin e dyerve që mund të zhbllokohen në aksidente.
Përkthyer dhe përshtatur nga BBC për Probizz.al