Mbretëresha e Glikove në Shqipëri është zona e Përmetit. Si e tillë vetëm familjet përmetare mund ta zotërojnë eskluzivitetin për të prodhuar një Gliko të veçantë. Probizz.al ka zgjedhur punishten e Ek_të_ëmbla e cila është ngritur me dashurinë dhe pasionin e një familjeje për produktet bio. Si u rrit biznesi, kërkesat përtej pritshmërive, zgjerimi i gamës së produkteve dhe dhe si u kthye Ek_të_ëmbla në një vlerë të kulinarisë shqiptare, të gjitha rrëfehen në intervistën e mëposhtme.
Sa vite keni që merreni me këtë biznes familjar, si i keni ndarë detyrat dhe angazhimet?
Fillimisht, ju falenderoj në emër të familjes sime, që jeni mbështetje për bizneset e vogla familjare! Vlerësim maksimal, për stafin e Probizz.al! Më duket, sikur kemi një jetë sepse unë që kur kam lindur, mbaj mend veten të vogël duke u “vërdallisur” në biznesin e mamit dhe të babit, të dy në fusha dhe artikuj të ndryshëm. Sot, e kemi kthyer në një tematikë tjetër gjithë mendësinë dhe filozofinë e familjes, jemi duke u marrë me produktet bio, madje shumicën e tyre që nga prodhimi. Mami dhe babi kujdesen për prodhimin e tyre . Përtej shakasë, është kënaqësi sepse të dy prindërit e dashurojnë Bio-n, motra duke u kujdesur për komunikimin me klientin, paraqitjen e produktit tek audiencat, vëllai duke na orientuar ndaj përzgjedhjeve të produkteve pasi është teknolog ushqimor, edhe unë që kam studiuar në një fushë krejt ndryshe, atë të mjekësisë- mami, por e dashuroj EK t’ëmbla dhe dua ta fuqizoj aq shumë sepse vetë produktet tona e meritojnë. Domethënë, të gjithë jemi të përfshirë, dikush me ide, dikush me veprime por që të gjithë me një qëllim, atë të rritjes së biznesit.
Gama e produkteve që ofroni?
Ne e kemi nisur me gliko dhe reçel, produkte tradicionale nga zona e Përmetit. Pothuajse, të gjitha frutat ne i kthejmë në gliko dhe reçel. Disa prej tyre dhe në shurup, pekmez, lëngje të freskëta. Së fundmi, kemi sjellë për klientët edhe produkte të tjera të prodhuara në mënyrë artizanale, siç janë ; trahana, fasule të llojeve të ndryshme, bimë mjekësore, turshi në kushte shtëpie, mjaltin me arra etj, etj.
Sa e veshtirë është të merresh me këtë proçes të prodhimit në mënyrë artizanale të reçelit dhe glikove?
Përgatitja në mënyrë artizanale është e vështirë por kur e bën me dashuri, kthehet në kënaqësi. Jemi munduar të përzgjedhim produktet më të mira. Përgatitja, gjithashtu në kushte shumë të mira. Do shumë kohë, prandaj dhe unë dua ta orientoj klientin tek produktet që vijnë nga zonat rurale, mbështetjen e bizneseve të vogla sepse ata punojnë me mish dhe shpirt, dhe nuk ka më bukur se të të uroj me gjithë zemër shitësi “ të bëftë mirë” sepse ke kontriubuar në njëfarë mënyre në mbijetesën dhe jetesën e prodhitarit.
Sa me interes është të merresh me këtë biznes?
Shumë, në një botë kur komercialiteti, masa dhe turma na ka pushtuar, çdokush prej nesh priret të orientohet drejt produkteve vendase, drejt produkteve që kemi konsumuar kur kemi qenë të vegjël. Të gjithë i duam produktet bio, klientët e EK t’ëmbla i dashurojnë dhe dua t’i falenderoj të gjithë një e nga një që më kanë mbështetur me mirësinë e tyre. Me të vërtetë që më kanë suportuar shumë.
A do ta ruani traditën edhe ju si prindërit?
Më parë, çuditesha teksa shikoja mamin dhe babin që investonin në çdo gjë që ka lidhje me frutat, perimet deri tek kavanozi që nxirret në shitje. Tani, e them me plot gojën që do e ruaj aq sa të kem mundësi, sepse për mua EK t’ëmbla është vlerë e familjes sonë, dhe vlerë e shtuar në kulinarinë shqiptare.
Sa i pëlqejnë dhe blejnë qytetarët këto produkte?
Nuk e prisja të kishte bum kërkesash, por dita-ditës më doli jashtë pritshmërive. Çdo klient i Tiranës dhe çdo rrethi në Shqipëri janë të interesuar për produktet tona, pyesin dhe informohen edhe për vlerat ushqyese që kanë. Pasi i blejnë, shumica prej tyre japin dhe përshtypjet, kjo na gëzon shumë sepse është vlerësimi i tyre për një produkt me vlerë monetare të vogël. Dhe këtu unë bëj diferencën, klienti e mbush zemrën më tepër me produktet e fshatit. Këtu merr vlerë shprehja “dashuria lind nga stomaku” ndonjëherë më shumë se produktet e luksit.
Cilësia që gëzojnë?
Produkt i sjellë për klientët nga dëshira e mirë për ruajtjen e traditës, zakonit të përmetarëve. Të ruajtura me delikatesë dhe të servirura me shumë dashuri.
A tregtoni jashtë Shqipërisë dhe a do donit?
Ka shumë raste, kur pyesin nëse mund t’i nisim edhe jashtë Shqipërie. Shpeshherë, i marrin familjarët e tyre dhe ua dërgojnë. Të tjerët, mezi presin që të vijnë për festa dhe t’i provojnë.
Diçka që dëshironi të shprehni për EK t’ëmbla?
Mirëpresim me kënaqësi çdo përshtypje të klientëve pasi i kemi shumë të rëndësishme, sigurisht dhe sugjerime, ide. Ne punojmë me dëshirën e mirë që në fund pasi klienti ka marrë porosinë të na falenderojë me shpirt dhe jo të zhgënjehet. Jemi të fokusuar tek dhënia e ëmbëlsisë shpirtërore, ashtu si dhe produktet tona të ëmbla.
Për porosi
Tel + 355 68 457 4641
Instagram Ek_te_embla