Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe organizata për Rritjen e Bizneseve, Creative Business Solutions (CBS) organizuan sot Konferencën “Balkanomics”, një konferencë rajonale që synon të mbështesë dhe nxisë mundësitë e rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Për herë të parë, Konferenca bashkon ekspertë ndëëkombëtarë, biznese, institucionet financiare, partnerët e zhvillimit dhe politikëbërësit për të eksploruar zgjidhje inovative dhe për të ndërtuar partneritete që nxisin progresin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.
Konferenca dyditore u hap nga Mischere Kawas, Përfaqësuese e USAID për Shqipërinë, e ndjekur nga një panel diskutimi me David Wisner, të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri dhe Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri.
Duke theksuar se si partneritetet e forta politike mund të përshpejtojnë nismat e zhvillimit të USAID-it dhe përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Shqipëri, David Wisner tha: “Ne besojmë në një integrim më të madh rajonal, i cili padyshim do të nxisë prosperitetin dhe rritjen në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Në Shqipëri në veçanti, ne themi gjithmonë se fokusohemi në tre çështje madhore: mbrojtjen, demokracinë dhe biznesin. Në secilën prej këtyre fushave, ne po punojmë edhe me vetë Bashkimin Evropian edhe me vendet anëtare për të parë llojin e ndryshimit dhe për të ndihmuar në nxitjen e ndryshimit që duam të shohim në rajon dhe në Shqipëri”.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato shpjegoi se si Bashkimi Evropian po ndihmon Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë të adresojnë sfidat strukturore ekonomike në kontekstin e procesit të integrimit në BE. Ai theksoi rëndësinë e Planit të Rritjes së BE-së për konvergjencën (përputhjen) ekonomike të rajonit dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. “Konvergjenca (përputhja) ekonomike është në qendër të përfitimeve të anëtarësimit në BE dhe zgjerimet e mëparshme të BE-së treguan ndikimin pozitiv që ka në konvergjencën ekonomike anëtarësimi në tregun e përbashkët të BE-së, i kombinuar me solidaritetin financiar. Plani ynë i Rritjes synon të nxisë rritjen ekonomike duke ofruar stimuj për reformat e nevojshme, përfshirë fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, duke ofruar njëkohësisht mundësi shtesë të rëndësishme për investime dhe duke nxitur integrimin ekonomik rajonal”, tha ambasadori e BE-së Gonzato.
Gjatë ditës së parë, Konferenca u fokusua në tema thelbësore të USAID CATALYZE EoG në Ballkanin Perëndimor, si mobilizimi i aksesit në kapital për SME-të, rëndësia e financimit të tregjeve të kapitalit, inovacionet financiare dhe fuqia transformuese e dixhitalizimit dhe e-commerce.
Njëlloj me rëndësi, konferenca “Balkanomics” ekspozoi gjatë punimeve të saj standardet Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse (ESG), financat e qëndrueshme dhe rolin e partneritetit publik dhe privat në nxitjen e progresit të politikave ESG. Konferenca do të njoftojë gjithashtu takimin e ardhshëm të rrjetit ESG në Shqipëri, i cili do të zhvillohet më 16 shtator 2024. Për të sjellë këndvështrime të tjera, në ditën e dytë të konferencës foli edhe Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Partner strategjik i Konferencës, Mario Bracci, Drejtor i Përgjithshëm i Titan Albania dhe President i ESG Albania, prezantoi praktikat më të mira që mbështesin përshtatjen e bizneseve mepolitikat eESG në Shqipëri.
Gjithashtu, konferenca do të eksplorojë tema të tilla si perspektivat e kapitalit privat në rajon, standardet bankare me Përgjegjësinë për Projektet e Gjelbra, iniciativat e Dhomes Amerikane të Tregtisë në përqafimin e ESG ashtu si edhe shfrytëzimi i FinTech dhe Inteligjencës Artificiale (AI) për inovacionin e biznesit.
USAID është i lumtur që ka mbështetur këto ndërveprimemidis kompanive të sektorit privat, partnerëve të zhvillimit dhe zyrtarëve publikë për të nxjerrë në pah praktikat më të mira për vendet e Ballkanit Perëndimor teksa ata trajtojnë Planin e ri të Rritjes të BE-së dhe vendosin vendete tyre në një rrugë të sigurt ekonomike.
Aktiviteti i USAID CATALYZE Engines of Growth (EoG) (2020-2024) lehtëson rritjen dhe krijimin e vendeve të punës të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në Ballkanin Perëndimor duke përmirësuar aksesin e tyre në financim. EoG ndihmon në mobilizimin e kapitalit për të mbështetur SME-të dhe qendrueshmërinë e vendeve të qëndrueshme në vijim të efekteve të Covid 19 në terma afat shkurtër dhe promovon përmirësimin dhe rritjen e financimit SME-ve në terma afatgjatë, me fokus mbështetës për SME-të në pronësi dhe të drejtuara nga gratë.
CBS është një kompani konsulence biznesi dhe organizatë e zbatimit të projekteve në Shqipëri e themeluar në vitin 2012. Misioni i CBS është të drejtojë projekte të rritjes së qëndrueshme ekonomike nëpërmjet praktikave novatore, të përqendruara te klientët dhe miqësore me mjedisin. CBS konsulton dhe zbaton zgjidhje për sipërmarrësit lokalë, organizatat, donatorët dhe institucionet financiare, duke ofruar shërbime të vlefshme dhe efektive që gjenerojnë rritje ekonomike në sektorët ekonomik në zhvillim.