Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare e kanë të pamundur të kursejnë. Kjo ka rezultuar nga Vrojtimi i Pasurisë së Familjeve Shqiptare, realizuar nga Banka e Shqipërisë. Sipas vrojtimit, 62% e familjeve në vendin tonë nuk kursejnë dhe vetëm 38% e tyre arrijnë të heqin diçka mënjanë.
“Parë sipas madhësisë, vërejmë se familjet me 3 anëtarë kursejnë më shumë se familjet e tjera, ku më pak kursejnë familjet me 1 anëtar. Vërejmë gjithashtu, se më shumë kursejnë familjet në kuartilet -65- më të larta të të ardhurave (57% e tyre), përkundrejt familjeve me të ardhura më të ulëta (vetëm 17% e tyre).
Ndërsa parë sipas shpërndarjes së kuartileve të pasurisë neto, vërehet më shumë një sjellje më homogjene e familjeve që kursejnë, përkundrejt atyre që nuk kursejnë. 43% e familjeve që e kanë personin e referencës në grup moshën 16-34% kursejnë dhe 57% e tyre nuk kursejnë, përkundrejt grupmoshave të tjera”, theksohet në vrojtim.
Vërehet se më pak kursejnë familjet që e kanë personin e referencës në moshën mbi 75 vjeç, vetëm 35% e tyre kursejnë, përkundrejt 65% që nuk kursejnë. Parë sipas statusit të punësimit të personit të referencës, afërsisht gjysma e familjeve që e kanë personin e referencës të punësuar kursejnë, ndërsa gjysma tjetër jo. Të dytët që kursejnë më shumë, janë familjet që e kanë personin e referencës të vetëpunësuar, ku 42% e tyre kursejnë.
Më pak kursejnë familjet që e kanë personin e referencës të papunë, nga të cilat më pak se çereku kursejnë. Ashtu siç edhe pritej, familjet që e kanë personin e referencës me nivel më të lartë edukimi, sigurojnë më shumë të ardhura, si rrjedhojë ka një përqindje më të lartë të tyre që kursejnë (59% e familjeve), përkundrejt familjeve ku personi i referencës ka një nivel më të ulët edukimi (30% e tyre).
Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë, familjet pyeten gjithashtu edhe për arsyet kryesore të kursimit, duke renditur nga qëllimi më i rëndësishëm tek ai më pak i rëndësishëm e që kanë të bëjnë me: blerjen e një shtëpie, makine, ngritjen e një biznesi, investimin në pasuri financiare, shlyerjen e borxheve, kursime pleqërie, udhëtime, edukimin e fëmijëve, përkujdesje ndaj prindërve të moshuar, për dhurata etj.
Nga të dhënat rezulton që arsyet kryesore që familjet kursejnë lidhen kryesisht me edukimin e fëmijëve dhe për kursime pleqërie, pohuar nga 52% e familjeve që kursejnë. Ndjekur nga kursimet për pushime apo udhëtime, pohuar nga 30% e familjeve që kursejnë, si dhe përkujdesje ndaj prindërve dhe detyrime të tjera, pohuar nga 21% e familjeve.
Marrë nga Fast News