Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj solli sot shembullin e Ymer Mikurtit, një fermeri në Burrel, i cili është përfitues i mbështetjes financiare për zhvillimin e aktivitetit blegtoral.
Denaj thekson se, me mbështetjen financiare nga programi IPARD II, Ymeri e ka shtuar numrin e krerëve vit pas viti dhe sot bashkëpunon me rreth 35 fermerë të zonës duke rritur aktivitetin ekonomik.
Programi IPARD ka mundësuar 34 investime në stalla dhe ferma blegtorale me qëllim rritjen e prodhimit. Por jo vetëm, ka përmirësuar treguesit e rendimentit të prodhimit të qumështit dhe treguesit e standardeve të sigurisë ushqimore si dhe shërbejnë si model për modernizimin dhe për afrimin me standardet e BE-së, nënvizoi Denaj.
“Jam kthyer nga emigracioni në vitet 2000. Jam marrë me biznes. Në vitin 2020 pas hapjes së IPARD II aplikova në AZHBR, në vitin 2022 m’u miratua fondi për zhvillimin e një aktiviteti blegtoral. Aktualisht kam 95 viça. I kam për mbarështim. Duke parë që ishte nevoja për mish mendova që kjo do të ishte një e ardhme e bujqësisë. Në rrethin e Matit janë rreth 30-35 persona që sjellin jonxhë, misër, ushqime blegtorale që nevojiten për stabilimentin që kam krijuar”, shprehet ai në një video në rrjetet sociale.
Ymeri ka zhvilluar edhe zonën rreth stabilimentit.
“Një sipërfaqe toke e kam timen që i shërben stabilimentit. Aktualisht kam 4 persona të punësuar, bashkë me familjen time që punojmë”, u shpreh ai./ATSH