Nësë jeni maturant dhe zgjidhni të studioni në degët e Universitetit Bujqësor po bëni gjënë e duhur për të ardhmen tuaj.
Përzgjedhja e degëve prioritare për të studiuar ju bën të përfitoni automatikisht nga tarifat zero, paga prej 400 mijë lekësh në muaj dhe diplomë cilësore që ju hap direkt dyer punësimi në të ardhmen.
Në një intervistë për Probizz.Al, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Rektor i UBT-së thotë se është koha që studentët të mendojnë seriozisht të ardhmen e tyre duke bërë zgjedhjen e duhur.
“Aktualisht që ne flasim çdo maturant i cili do të përzgjedhë të studiojë, në agronomi, në zooteknikë, në peshkim, dhe inxhinieri pyjesh, mbrojtje bimësh, horticulture dhe një gamë të tjerë programesh, do të përfitojë një mbështetje financiare e barabartë me vlerën e pages minimale në Shqipëri për rreth 40 mijë lekë të reja, ose 400 mijë lekë të vjetra në muaj. Kjo besoj është një ndër ndihmat apo iniciativat më të mëdha që qeveria shqiptare ka ofruar ndonjëherë për çdo të ri që preferon të studiojë në këto programe”.
Universiteti bujqësor është ndër universitetet që ofron diplomat më cilësore për sa i përket kompetencave profesionale në fushën e bujqësisë, mjekësisë veterinare, pyjeve, bioteknologjisë, mjedisit, mbrojtjes së bimëve dhe shumë programe të tjera, mësimore.
“Por përveç mbështetjes financiare, e cila është shumë e rëndësishme në këtë fazë. Ajo që doja të theksoja është fakti që ky universitet, nga mënyra e organizimit nga tradita, nga historia që ai mbart, ofron diploma vërtetë me vlerë të cilat çdo i ri, çdo student që diplomohet nga ky universitet e ka nesër si një mjet, si një aset, dhe një vlerë e shtuar në background e tij. Është ndër universitetet i cili aktualisht ofron pesë diploma duale në universitetin e Viterbo në Itali, që do të thotë që çdo i ri që studion në këto pesë programe që ne ofrojmë aktualisht për këtë vit akademik në përfundim të diplomimit do marri diploma nga universiteti i Viterbos në Itali dhe nga universiteti bujqësor i Tiranës dhe e njëjta gjë dhe për studentët italianë. Përveç kësaj universiteti bujqësor është në fazën që ka realizuar një marrëveshje strategjike me universitetin Boku të Vienës që nënkupton faktin që në harkun kohor të pesë viteve, universiteti Boku i Vjenës do të marrë të gjithë kompetencat përsa i përket ristrukturimit dhe reformimit total të ofertës akademike, kërkimore, transferimit të teknologjive. Me fjalë të tjera, në harkun kohor të 5 viteve, universiteti bujqësor i Tiranës do shndërrohet në universitetin Boku të Vjenës.”– thotë Z. Sallaku.
Sipas studimeve koha që i duhet një studenti për të gjetur punë, pasi mbaron studimet, është shumë më e shkurtër për degët e Universitetit Bujqësor, krahasuar me degët e tjera.
“Të dhënat tona të mbështetura në disa studime, konfirmojnë faktin se një i ri që është diplomuar në universitetin bujqësor të Tiranës mund të gjejë punë për një periudhë nga 3 deri në 4 javë, krahasuar me të rinjtë që diplomohen në disa profesione të tjera, ku koha e pritjes për të gjetur punë minimalisht është nga 9 muaj deri në një vit. Kjo konfirmon faktin edhe një herë se çdo i ri që diplomohet në këto degë që janë prioritare kanë shumë favore përveç mbështetjes financiare që e përsëris dhe njëherë është shumë e konsiderueshme sepse një student në universitetin bujqësor që studion në këto programe nuk ka nevojë të paguajë por përkundrazi do të paguhet, do të mbështetet financiarisht nga qeveria shqiptare, në sasinë dhe vlerën prej 400 mijë lekësh të vjetra, të barabarta me vlerën e pages minimale dhe nuk do të paguajë edhe tarifë regjistrimi, çka përsëri janë mbështetje financiare për çdo të ri i cili pretendon të studiojë dhe të jetojë në Tiranë.”
Rektori i UBT i bën thirrje maturantëve të mos e humbin këtë mundësi studimi me shumë përfitime për të ardhmen.