Gazetarët e Lezhës, dhe përfaqësues nga gjithë Shqipëria, duke përfshirë Tiranën, Elbasanin, Durrësin, Korçën, Beratin, Gjirokastrën, Kukësin, Vlorën, Shkodrën, Lushnjen, u mblodhën në qytetin ku At Gjergj Fishta ka vendosur rrënjë, në kuadër të javës së tij, dhe për të vlerësuar në edicionin e parë çmimet “At Gjergj Fishta” në fushën e gazetarisë.
Një aktivitet që u moderua në mënyrë koncize nga gazetari Gjergj Marku, e ku i zoti i shtëpisë, kësaj radhe kryetari i Unionit të Gazetarëve të Lezhës Gjergj Figuri, kishte rezervuar dy ditë plot emocione, supriza dhe shumë informacion.
Lezha, është qyteti që gazetaria nuk ka mbaruar asnjëherë. Aty ka pasur pena të forta që herët, pas viteve 1900, e mandej edhe gjatë viteve të diktaturës, për të shpërthyer në ato të demokracisë.
Gazetarët gjetën kohën të kujtojnë së bashku të gjitha ata emra të çmuar, për të dhënë edhe katër cmime.
I veçantë ishte çmimi për gazetarin Preng Baloj, i ndarë nga jeta në shtator të këtij viti. “Babai i reportazhit”, “njeriu i palodhur dhe i kudondodhur”, ishin këto përcaktimet e jetës dhe aktivitetit të Balojt në fushën e publicistikës, dhe në një arkivë të pasur që vetë ai ka lënë për reportazhin.
Frano Kulli, Ndue Dedaj dhe Ndue Dragusha, mes emocionesh, pasi morën çmimin At Gjergj Fishta, vlerësuan aktivitetin dhe Unionin, duke thënë se kjo ishte një traditë që nuk duhet të humbiste për qytetin që mund të konsiderohet edhe si një djep i gazetarisë. Në aktivitet përshëndeti edhe prefekti i Lezhës zoti Gjok Jaku. Ndërkohë që emra të njohur si Frok Çupi, Aleksandër Çipa, Martin Dedaj, Ndue Dragusha, përfaqësuesi i biznesit Alban Zusi, Aurora Nikolli etj, e konsideruan këtë nismë si një hap të vyer për shkollën dhe trashëgiminë fishtiane në gazetari e sidomos në publicistikë. Dita e parë përfundoi në një darkë miqësore në një restorant po aq miqësor si “Rapsodia”. Në ditën e dytë të aktivitetit gazetarët e ftuar nga të gjitha degët e UGSH në vend patën një takim informues dhe mirëseardhës me kryetarin e Bashkisë së Lezhës zotin Pjerin Ndreu i cili i njohu mysafirët me projektet e inkurajuara nga bashkia në kuadër të 150 vjetorit të Fishtës si dhe në lëmi të muzeologjisë dhe atë të trashëgimisë.
Ndërkohë që më pas gazetarët u bënë pjesë e aktivitetir poetik të organizuar nga klubi letrar “Ndoc Gjetja” dhe e mbyllën axhendën e veprimtarisë në kompleksin agrokulinar “Mrizi i Zanave” në Fishtë./ProBizz.al