21 vjeçari Luka Lamaj, sipërmarrës i suksesshëm në Kanada

Vetëm 21 vjeç, duke bërë ëndrrat e tij realitet dhe duke korrur sukses!

Luka Lamaj është një 21-vjeçar nga Tirana, i cili jeton dhe studion në Kanada për biokimi në Bishop’s University.

Në një intervistë për ProBizz.al, Luka tregon për projektet dhe startup-et e tij të suksesshme në Kanada: “Docere App”, “Cool Historians” dhe “Lavel NFT”.

“Projekti im kryesor është Docere, një tech-startup në fushën e mjekësisë, dhe më konkretisht është një platformë komunikuese (app) midis doktorëve dhe pacientëve në mënyrë që ekzaminimet mjekësore të bëhen online dhe jo më nëpër klinika dhe spitale. Ky aplikacion do të përfshijë 3D body graphs, pagesë e doktorëve me kriptomonedha, hartë të doktorëve etj. Business Modeli i kësaj kompanie është Freemium dhe Subscription dhe do të jetë për të gjithë qytetarët kanadez.”

Nëpërmjet Docere App Luka Lamaj ia ka arritur të fitojë çmimin e tretë ndër 200 kompani që aplikuan në një kompeticion të zhvilluar nga organizata qeveritare CCSBE (Canadian Council for Small Business and Entrepreneurship) në bashkëpunim me University of New Brunswick.

Tani në këtë moment jemi në procesin e mbledhjeve tëë fondeve.”- Projekti ka marrë 10,000$ deri më tani dhe sapo është pranuar në DMZ Incubator nga Ryerson University, që është një nga Business Incubatoret dhe Acceleratoret më të mirë të Kanadasë me një normë pranimi prej 5%. “Jemi në bisedime me disa Super-Angel Investors nga Kanadaja dhe Amerika për të investuar në kompaninë tonë.” – shtoi Lamaj.

“Cool Historians”, projekti tjetër i Luka Lamaj  është një podcast ku ai personalisht flet mbi histori interesante nga e gjithë bota, patjetër dhe mbi historinë e Shqipërisë. Është një podcast që dëgjohet në 33 vende të botës, dhe praktikisht në çdo kontinent. Podcasti mund të dëgjohet në çdo platformë podcasti (Spotify, Apple Podcast, Google Podcast etj.).

Qëllimi pse unë e kam bërë këtë podcast është krijimi i një komuniteti të historian-dashësve dhe për t’u treguar të rinjve se Social Media mund të përdoret për të shpërndarë vlera dhe dije, atë që ne e quajmë Intellectual Influencer. Së shpejti, do të zyrtarizohet një investim që po bëhet nga një kompani digital media me bazë në Toronto që do të na financojë për ta përhapur më shumë podcastin drejt tregut kanadez dhe amerikan.” – ka treguar 21 vjeçari.

Ju mund ta ndiqni projektin Cool historians dhe në rrjetet sociale në Instagram:@coolhistorians dhe në TikTok:@coolhistorians. Luka i menaxhon personalisht këto llogari dhe është çdo ditë goxha aktiv.

Lavel NFT është projekti i tretë që ai po realizon tani në Kanada, por në bashkëpunim me vëllain e tij. Ky projekt do të sjellë inovacion në tregun shqiptar, pasi ata janë të paret që po sjellin termin NFT në Shqiperi, në mënyrë të organizuar.

Por çfarë është një NFT? NFT ose Non-Fungible Token është një aset digjital, pra çdo video, audio, foto, pikturë që është digjitale dhe është njësi unike është një NFT. Kur blen një NFT zotëron një certifikatë digjitale të regjistruar në Blockchain System.

“Ne sapo kemi nxjerrë NFT-në tonë të pare, ku shitet në tregun online “Rarible.com”. Ne kemi arritur gjithashtu një akord me “Candian Games” që janë Lojërat Olimpike Kanadeze, pra praktikisht nga këto lojera zgjidhet ekipi që do të përfaqësojë Kanadanë në Lojërat Olimpike të Paris 2024, dhe ne do të krijojmë një NFT për maskotën e tyre duke u bërë sponsori i këtyre Lojërave Olimpike.” – tregon Lamaj ekskluzivisht projektin më të fundit për ProBizz.al.