Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe
zëvendësministri i Jashtëm italian, Edmondo Cirielli firmosën marrëveshjen e huasë prej 35
milionë eurosh për investime për përmirësimin e rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike në
zonat Shkodër, Lezhë, Fushë-Krujë. Zv/kryeministrja Balluku deklaroi se marrëveshja e
nënshkruar kontribuon me investime në një nga sektorët më të rëndësishëm dhe më kritik edhe
nën dritën e situatës që preku jo vetëm vendin tonë por mbarë Evropën në vitin 2022 për shkak të
krizës energjetike.
“Përmes kësaj huaje do të zhvillohet një projekt, i cili konsiston në përmirësimin e sistemit të
shpërndarjes, konkretisht në zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Fushë-Krujës, me fokus kryesor
përmirësimin e nënstacioneve ekzistuese, sistemin Scada dhe rrjetin e tensionit të mesëm, duke i
ofruar kështu mundësi agjencive shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, por edhe atyre private që
të ofrojnë një shërbim cilësor në furnizimin e energjisë elektrike”, u shpreh Balluku.
Balluku shtoi se:
“Duhet të theksoj se përmirësimi dhe modernizimi i sistemit energjetik shqiptar ka qenë objektiv
strategjik dhe parësor i Qeverisë Shqiptare, duke nisur nga viti 2013. Vëmendje të veçantë i
është kushtuar sistemit të shpërndarjes, i cili është ai që ndikon direkt në jetën e qytetarëve.
Padyshim prodhimi dhe transmetimi janë dy kolona shumë të rëndësishme dhe kryesore të
sistemit energjetik, por ama përdoruesi, familjari, abonenti apo edhe bizneset janë të lidhur
direkt në rrjetin e shpërndarjes dhe është ajo çka ata kuptojnë konkretisht dhe janë të prekur.”