Prej kohësh është thënë se 10,000 hapa në ditë është numri magjik që ju nevojitet për të qëndruar në formë dhe të shëndetshëm por një studim i ri tregon se më pak se 5,000 mund të jenë të mjaftueshme.
Analiza e më shumë se 226,000 njerëzve në mbarë botën tregoi se 4,000 ishin të mjaftueshme për të filluar zvogëlimin e rrezikut të vdekjes së parakohshme për çdo shkak.
Pak më shumë se 2300 janë të mjaftueshme për zemrën dhe enët e gjakut.
Sa më shumë të bëni, aq më shumë përfitime shëndetësore keni, thonë studiuesit. Çdo 1000 hapa shtesë përtej 4000 ul rrezikun e vdekjes së hershme me 15% deri në 20000 hapa.
Ekipi nga Universiteti Mjekësor i Lodz-it në Poloni dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Johns Hopkins në SHBA zbuloi se përfitimet e ecjes zbatoheshin për të gjitha gjinitë dhe moshat, pavarësisht se ku jetonin.
Megjithatë, përfitimet më të mëdha u panë tek moshat nën 60 vjeç.
Prof. Maciej Banach, nga universiteti Lodz, tha se ndërsa numri i barnave të avancuara për trajtim po rritej, ato nuk janë e vetmja mënyrë shërimi.
“Unë besoj se duhet të theksojmë gjithmonë se ndryshimet në stilin e jetës, duke përfshirë dietën dhe stërvitjen, që ishte heroi kryesor i analizës sonë, mund të jenë të paktën po aq, ose edhe më shumë, efektivë në reduktimin e rrezikut kardiovaskular dhe zgjatjen e jetës,” tha ai.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktiviteti fizik i pamjaftueshëm është përgjegjës për 3.2 milionë vdekje çdo vit.
Përkthyer dhe përshtatur nga BBC për Probizz.al