Aktivitetet financiare dhe të sigurimit dhe punonjësit në sektorin e informacionit dhe komunikacionit kanë pasur rritje të pagës mesatare në tremujorin e dytë të vitit duke u renditur edhe si sektorët më të mirëpaguar në vend.
Instituti i Statistikave ka raportuar se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2021 është 56.710 lekë, duke u rritur me 4,7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Paga mesatare është në rritje prej tre 3-mujorësh radhazi pas rënies së theksuar që pësoi në 3 mujorin e tretë të vitit të shkuar.
Gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2,13 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkimi është 36,7% më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2021 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Tregtisë; transportit; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ka rritjen më të madhe prej 9,2%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme; Aktiviteteve shkencore, profesionale dhe teknike; Aktiviteteve të shërbimeve administrative dhe mbështetëse prej 0,7%.
Rigjallërimin i aktivitetit ekonomik duket se ka ndikuar në përmirësimin në tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
INSTAT vlerëson se gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Manaxherëve është 74,3% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 38,7% më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2021, paga për grup-profesionin e Punëtorëve (Profesione elementare) ka rritjen më të madhe prej 8,9%, ndërsa për grup-profesionin e Nëpunësve ka një rritje më të vogël, prej 0,6%.