Në përfundim të konsultimeve me Shqipërinë për vitin 2021 Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë në një deklaratë përmbyllëse ku ka folur për aspekte të ndryshme të situatës ekonomike në vend.
Shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Jan Sun, deklaroi në një konferencë për mediat se rritja e çmimeve ku përfshihet edhe energjia elektrike, paraqet rrezikshmëri për ekonominë. Ajo sugjeroi që të ketë një mbështetje të targetuar për familjet në nevojë dhe jo me bazë të gjerë. Në konferencën për shtyp Sun u shpreh kundër heqjes së TVSH për produktet ushqimore.
“Rritja e çmimeve si rritja e çmimit të energjisë janë rreziqe. Shqipëria ka disa sfida për ekonominë e saj. Duhet strategji për rritjen e të ardhurave tatimore dhe duhet përmirësuar cilësia e investimeve publike. Me një tjetër mandat qeveria është e mirëvendosur për të adresuar këto sfida dhe për të marrë masa. Themeli i këtij plani, duhet të jetë strategjia afatmesme. Duhet rritur cilësia dhe transparenca në shpenzimet publike. Shohim që nevoja është për investime ambicioze duhet të moderohet. Të orientohet drejt atyre personave që kanë më shumë nevojë. Forcimi i buxhetit do të ndihmojë në ruajtjen e besimit në treg. Sistemi bankar ka mbetur stabël dhe likuid. Banka e Shqipërisë duhet të monitorojë. Mbështetur në gjetjet paraprake të FMN, do të paraqesim raportin tonë të stafit dhe do ia japim bordit për të marrjen e vendimit në dhjetor”, tha Sun.
Më tej në deklaratën e shpërndarë për mediat thuhet: “Politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë (BSH) vazhdon të jetë e përshtatshme, pasi inflacion mbetet nën objektiv dhe pritshmëritë janë të mirë-ankoruara. Ne presim që rritja në indeksin e çmimeve të konsumit – që vjen si pasojë e rritjes ndërkombëtare të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë – të jetë kalimtare. Një zhvendosje në drejtim të shtrëngimit të politikës monetare duhet të bazohet tek të dhënat, dhe tregues të qartë të zgjerimit të presioneve inflacioniste të qëndrueshme. Fleksibiliteti i kursit e këmbimit i ka shërbyer mirë Shqipërisë dhe do të vazhdojë të luajë rolin si amortizues.”
Sipas FMN-së ekonomia e Shqipërisë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë. Pas vitit të vështirë 2020, aktiviteti ekonomik po ringrihet fuqishëm. Politikat luajtën rol kyç në ruajtjen e jetëve dhe mjeteve të jetesës, duke i hapur rrugë rimëkembjes ekonomike. Sfidat kryesore tani janë të dyfishta: Së pari, investimi me efikasitet tek njerëzit dhe ekonomia për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të vendit; së dyti, rindërtimi i hapësirës për manovrim të politikës fiskale, për të ulur defiçitin shumë të lartë fiskal dhe raportin e borxhit publik. Mënyra për të kapërcyer këto dy sfida është ndërtimi i një strategjie ambicioze për të rritur të ardhurat tatimore dhe përmirësimi i transparences dhe cilësisë së investimeve publike. Me një tjetër mandat, qeveria është e mirë vendosur për të adresuar këto sfida dhe për të kërkuar mbështetjen e të gjithë aktorëve të interesuar të shoqërisë në funksion të këtij qëllimi./ProBizz.al