Grupi i instalatorëve fotovoltaik ka bërë kërkesë zyrtare për përmisimin e legjislacionit në lidhje me vet-prodhuesit e energjisë elektrike. Letra i është dërguar pak ditë më parë institucioneve përkatëse: Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Entit Rregullator të Energjisë (ERE). Për këtë kërkesë është vënë në dijeni dhe Kryeministria, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes si dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Por, cilat janë propozimet që janë shtruar në letër dhe si do ndikojnë ato në situatën e Shqipërisë?
Kërkesa e parë është implementimi i menjëhershëm i bilancit vjetor të energjisë elektrike të prodhuar nga impiantet fotovoltaike për vet-konsum. Për ata që janë të rinj më këto terma, po sqarojmë si ka funksionuar deri më tani ligji. Ligji për prodhimin për vetë-konsum nënkupton që konsumatori mund të prodhoj energji elektrike me anë të impiantit fotovoltaik me fuqi mjaftueshëm për të mbuluar konsumin e vet. Bilanci i energjisë së prodhuar me energjinë e konsumuar bëhet mujor dhe në rastet kur konsumatori ka prodhuar më tepër nga sa ka konsumuar, atëherë kjo tepricë “dhurohet” në rrjet. Gjatë verës prodhimi është shumë më i lartë se konsumi, kurse në dimër është e anasjellta. Prandaj, sistemi me bilanc mujor nuk është aspak eficient dhe ne si grup kërkojmë që të ndryshohet dhe të vendoset bilanci vjetor. Në këtë mënyrë teprica e verës mund të përdoret në dimër dhe konsumatori zeron faturën e energjisë elektrike.
Për momentin ligji parashikon një limit fuqie të instaluar për vet-prodhuesit, që është 500 kWp. Por, ky limit penalizon biznesin e madh, që ka konsum shumë më të lartë se kaq. Duke u bazuar në konsumin e biznesit të madh dhe nga eksperienca e kompanive fotovoltaike në këtë fushë, propozojmë që limiti të shkoj 1000 kWp.
Një tjetër pikë e rëndësishme është dhe procedura e aplikimit për lejet përkatëse që të instalohet një impiant fotovoltaik. Për këtë pjesë në jemi ndalur në 2 propozime:
- E para është krijimi i një platforme online ku mund të kryhen aplikimi dhe dërgimi I dokumentacionit të nevojshëm.
- E dyta është thjeshtëzimi i procedurave për lidhjen me rrjetin për impiantet fotovoltaike të vogla rezidenciale. Procedura që aplikohet momentalisht është e njëjtë si për një impiant të vogël 3 kWp dhe për një impiant fotovoltaik 500 kWp. Pra, është e kuptueshme që një ndryshim është shumë i nevojshëm sepse po kjo po ndikon që një pjesë e mirë e konsumatorëve të tërhiqet, si dhe vet kompanitë pasi humbasim shumë kohe dhe për më tepër nevojitet gjithë ekipi i angazhuar. Skema mbështetëse për konsumatorët, sidomos për familjarët janë një plus i madh që rrisin investimet në këtë sektor.
Nga eksperiencat tona në terren, ka shumë konsumatorë që vuajnë nga mungesa e sipërfaqjes. Kanë mundësinë financiare, por jo hapsirën e nevojshme për të mbuluar konsumin e tyre. Pasi e shtruam si problematik, arritëm në përfundimin që zgjidhja e këtij problemi është lejimi instalimeve në distancë. E fundit, por jo nga rëndësia është dhe përcaktimi i sasisë së emetimeve të CO2 të evituar për çdo kWh të prodhuar nga impiantet fotovoltaike.
Këto politika jo vetëm që do ndihmojnë konsumatorin shqipëtar, por dhe do të lehësojnë krizën energjitike. Shqipëria ka potencial të madh dhe me politikat e duhura mund të arrijmë jo vetëm të mbulojmë gjithë konsumin tone, por pse jo dhe të shesim energji në shtetet fqinje.
Shkruar nga Vega Solar në emër të grupit Instalatorët Fotovoltaik.