Pilula e parë e krijuar për të trajtuar Covidin simptomatik është miratuar nga rregullatori i barnave në Mbretërinë e Bashkuar.
Tableta – molnupiravir – do t’u jepet dy herë në ditë pacientëve vulnerabël të diagnostikuar së fundmi me këtë sëmundje.
Në provat klinike, pilula, e krijuar fillimisht për të trajtuar gripin, zvogëlon rrezikun e shtrimit në spital ose vdekjen me rreth gjysmën.
Sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid tha se trajtimi ishte një “ndryshues loje” për më të dobëtit dhe imunosupresionuarit.
Në një deklaratë ai tha: “Sot është një ditë historike për vendin tonë, pasi Britania e Madhe është tashmë vendi i parë në botë që miraton një antiviral që mund të merret në shtëpi për Covid-in”.
Trajtimi i parë oral
Molnupiravir, i zhvilluar nga kompanitë amerikane të barnave Merck, Sharp dhe Dohme (MSD) dhe Ridgeback Biotherapeutics, është ilaçi i parë antiviral për Covid, i cili mund të merret si pilulë në vend që të injektohet ose jepet intravenoz.
Fillimisht do t’u jepet pacientëve të vaksinuar dhe të pavaksinuar përmes një studimi kombëtar..
Ilaçi duhet të jepet brenda pesë ditëve nga zhvillimi i simptomave për të qenë më efektiv.
Trajtimi i ri synon një enzimë që virusi përdor për të bërë kopje të vetvetes, duke futur gabime në kodin e tij gjenetik. Kjo duhet të parandalojë shumëfishimin e tij, në mënyrë që të mbajë nivelet e virusit të ulëta në trup dhe të zvogëlojë ashpërsinë e sëmundjes.
Merck tha se kjo qasje duhet ta bëjë trajtimin po aq efektiv kundër varianteve të reja të virusit ndërsa ai evoluon në të ardhmen.
Rregullatori i Mbretërisë së Bashkuar, MHRA, tha se tableti ishte autorizuar për përdorim te njerëzit që kanë Covid të butë deri në mesatar dhe të paktën një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të rënda si obeziteti, pleqëria, diabeti ose sëmundjet e zemrës.
Shefja ekzekutive e organizatës, June Raine, e përshkroi atë si “një tjetër terapi për të shtuar armaturën kundër Covid-19”.
“Kjo është e rëndësishme, sepse do të thotë se mund të administrohet jashtë një mjedisi spitalor, përpara se Covid-19 të përparojë në një fazë të rëndë.”-tha ajo.
Burimi: BBC