Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve e publikuar nga Instituti i Statistikave, paraqet një panoramë të saktë të impaktit të pandemisë në biznesin shqiptar, duke treguar rënie jo vetëm të numrit të ndërmarrjeve për vitin 2020 me 1.5%, krahasuar me vitin 2019, por rënie të lartë regjistrojnë nga ana tjetër shitjet neto. Për vitin 2020, shitjet neto të ndërmarrjeve kanë prekur shifrën e 2.14 trilionë lekë ose e konvertuar në euro 17.5 mld euro. Nga ana tjetër për vitin 2019 kjo shifër regjistrohej në 2.63 trilionë lekë ose 18.5 mld euro. Nga këto të dhëna rënia gjatë vitit 2020 regjistrohet në 116 mld lekë ose e konvertuar në euro kjo rënie është 951 milionë euro. Kjo vjen si pasojë e pandemisë, kohë e cila mbylli bizneset për gati tre muaj duke ndërprerë aktivitetin e tyre, por gjithashtu dhe lëvizja e kufizuar ka reduktuar shitjet e këtyre ndërmarrjeve.
Nga ana tjetër le të shohim masën e kontributit të të mirave dhe shërbimeve në rënien e shitjeve neto, por gjithashtu do analizojmë këto dy tregues dhe krahasuar me vitin 2019. Kontributin më të madh në rënien e shitjeve neto prej 5.1% e kanë dhënë prodhuesit e shërbimeve me -3,1 pikë, ndërsa prodhuesit e të mirave me -2.0 pikë. Krahasuar me vitin 2019 shitjet neto të prodhuesve të shërbimeve kanë rënë me 71 miliard lekë ose 584 mln euro. Sa i përket rënies së prodhuesve të të mirave, krahasuar me vitin 2019, ajo regjistrohet në rreth 44 miliard lekë ose 366 mln euro.
Për ta parë në mënyrë më të detajuar se sa ka qenë rënia e ndërmarrjeve për vitin 2020, “Scan Intelligence Unit” i ka analizuar shitjet neto sipas aktivitetit ekonomik. Le të ndalemi te ndryshimi i shitjeve neto në tregti, si kontribuesi kryesor. Krahasuar me vitin 2019 shitjet neto për tregtinë kanë rënë me rreth 13.8 miliard lekë. Nryshim pozitiv për vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, kanë pësuar shitjet neto për sektorin e ndërtimit me 8,6 miliard lekë. Ky ndyshim për këtë sektor vjen si pasojë e procesit të rindërtimit nga tërmeti, por edhe si pasojë e “bumit” që ka regjistruar ky sektor, edhe në pandemi. Sektori i akomodimit gjithashtu paraqitet më rënie për vitin 2020 me 17 miliard lekë. Nga ana tjetër rënie të shitjeve neto regjistrojnë sektorë si ai i transportit dhe energji elektrike e ujë me 11.7 mld lekë dhe 9 mld lekë përkatësisht. Sa i përket industrisë nxjerrëse dhe përpunuese rënia regjistrohet në 32 mld lekë dhe 12.3 mld lekë respektivisht. Sektori i shërbimeve të tjera, ku përfshihen arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj, rënia e shitjeve neto regjistrohet 28.8 miliard lekë.
Në rënien prej 5,1 % të punësimit, prodhuesit e shërbimeve dhanë kontributin më të madh me -3,8 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuan me -1,4 pikë përqindje. Në terma absolutë numri i të punësuarve për vitin 2020, krahasuar me një vit më parë ka rënë me 27 mijë e 657 punonjës. Për sektorin e tregtisë rënia e numri të të punësuarve në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, regjistrohet në 1.89%. Rënien më të madhe në numrin e të punësuarve e ka pësuar sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 13,6%, ndjekur nga industria nxjerrëse me 11.2%. Rritje të numrit të punësuarve për vitn 2020, krahasuar me vitin 2019, ka pësuar sektori i ndërtimit me 7.5%.
Po t`i analizojmë ndërmarrjet sipas madhësisë , shohim se ndërmarjet e vogla me 1 deri në 4 të punësuar e kanë përballuar më së miri pandeminë pasi janë të vetmet të cilat kanë rritur shitjet e tyre nëto gjatë kësaj periudhe. Rritja e shitjeve regjistrohet në 2.4% ose e shprehur në vlerë absolute kjo rritje kap vlerën e 6.9 mld lekëve ose 56 mln euro. Rënien më të madhe të shitjeve neto e kanë pësuar ndërmarrjet me 10 deri në 49 të punësuar, me 7.5% rënie ose rreth 54 mld lekë.
Burimi: Scan