“Sapo dëgjoj muzikë ritmike jo vetëm trupi, por krijoj dhe lëvizje imagjinare në kokë, pra dhe truri im kërcen, edhe po të jem në publik.”
Anisa Xhunga, vetëm 16 vjeç, është pjesë e grupit të kërcimit The Beat Killers, fituesit e vendit të parë në World Of Dance Albania 2021. Në një intervistë për ProBizz.al Anisa flet rreth pasionit të saj dhe eksperiencës në WOD ALB 2021.
Që e vogël Anisa ka qenë goxha e apasionuar pas kërcimit, por regjistrimi në një kurs kërcimi afër shtëpisë së saj e bëri që orë pas ore dhe ditë pas ditë ta merrte akoma më seriozisht atë dhe filloi t’i përkushtohej më shumë.
“Duke u praktikuar për 2 vite rresht arrita këtu ku jam sot dhe patjetër që kam akoma më shumë për të punuar. Me punë dhe vullnet arrihet çdo synim që i vendos vetes.” – është shprehur ajo.
The Beat Killers është grupi i kërcimit i krijuar dhe trajnuar nga koreografi Arbiol Dardha, i cili është kthyer në frymëzimin më të madh të Anisës: “Stili i tij, lëvizjet e tij të çuditshme e të vështira, por tej mase të bukura janë shumë frymëzuese për dikë që e do kërcimin dhe e ka pasion atë.” Ajo tregon se gjithashtu frymëzohet dhe nga video të ndryshme që kërcimtarë të tjerë rreth botës postojnë nëpër rrjetet e tyre sociale.
Grupi me koreografitë e tyre fantastike kanë marrë pjesë në shfaqje dhe videoklipe të ndryshme të artistëve të njohur si Noizy, Leonardo Gashi etj.
“Pjesëmarrja në WOD ALB ka qenë vërtetë emocionuese. Në WOD ALB 2020 ne fituam çmimin e tretë Team Division dhe nuk mbetëm aq të kënaqur nga vetja, ndaj i premtuam njëri-tjetrit se për WOD ALB 2021 do punonim vërtetë shumë. Dhe ashtu ndodhi. Punuam plot 3 muaj, ku ndër to kishte ndrydhje krahu, ndrydhje këmbe, ndërhyrje kirurgjikale etj. Asgjë nga këto s’na mposhti dhe vazhduam të punonim akoma më fort.”- tregon kërcimtarja rreth eksperiencës së saj në WOD ALB 2021.
Momenti kur po jepeshin çmimet ishte për ta një nga momentet më emocionuese: “Vërtet nuk po u besonim veshëve, a tha emrin tonë “The Beat Killers” apo jo? Kjo fitore ka qenë një nga ëndrrat e mia më të mëdha që vërtet u realizua.” – është shprehur Anisa.
Së shpejti ajo dhe grupi “The Beat Killers” do të konkurojnë në kampionatin botëror World Of Dance, i cili zhvillohet në Amerikë. Në këtë kampionat të krijuar nga Jennifer Lopez, marrin pjesë grupet më të mira të kërcimit nga e gjithë bota.
“Ëndrra ime më e madhe është të përmirësoj sa më shumë aftësitë e mia në kërcim dhe një ditë të bëhem koreografe, të hap studion time, e cila të ketë influencë të madhe sidomos te të rinjtë, si kjo e jona, dhe të mundem të konkuroj me kërcimtarët më të mirë të botës.”- flet Anisa rreth ëndrrës së saj më të madhe.
“Sapo dëgjoj muzikë ritmike jo vetëm trupi, por krijoj dhe lëvizje imagjinare në kokë, pra dhe truri im kërcen, edhe po të jem në publik.” – ka shtuar ajo. Një vajzë me ambicie dhe pasion për kërcimin ngjan mjaft mirë me një tjetër talent të ardhshëm shqiptar në botë. Talenti, puna dhe vullneti i zjarrtë kanë formësuar përfaqësimin e denjë të Shqipërisë jashtë kufijve të saj./ProBizz.al