Një makinë fluturuese, e cila mund të arrijë shpejtësinë 160 km/h dhe një lartësi mbi 2500 metra është pajisur me një certifikatë vlefshmërie për të fluturuar nga Autoriteti Sllovak i Transportit. Makina-avion hibrid, AirCar, është e pajisur me motor BMW dhe funksionon me karburant normal, benzinë.
Për të shndërruar makinën në avion duhen 2 minuta e 15 sekonda. Certifikimi vjen pas 70 orësh prova fluturimi dhe më shumë se 200 ngritje dhe ulje, tha kompania.
“Certifikimi AirCar u hap dyert prodhimit në masë të makinave fluturuese shumë eficiente,” tha krijuesi i saj, Prof. Stefan Klein.
“Është zyrtare dhe konfirmimi përfundimtar i aftësisë sonë për të ndryshuar përgjithmonë udhëtimet në mes të distancave”.
“Optimizëm i kujdesshëm”
Në qershor, makina fluturuese përfundoi një udhëtim prej 35 minutash midis aeroporteve ndërkombëtare të Nitra-s dhe Bratislavës në Sllovaki. Kompania tha për BBC News se ka planifikuar të kryejë një fluturim nga Parisi në Londër në të ardhmen e afërt.
Dr. Steve Wright, kërkues në fushën dhe sistemet ajrore, në University of the West në Angli tha se lajmi ishte “një hap i mirë përpara” për shoqërinë duke i dhënë një optimizëm të kujdesshëm në faktin që një ditë do të shohim disa AirCars – por mendon se ka ende rrugë për t’u bërë. Kompani të tjera po zhvillojnë edhe mjete që mund të fluturojnë dhe të drejtohen në rrugë.
PAL-V Liberty me tre rrota, ka marrë miratimin në rrugët e Evropës dhe po punon për të marrë certifikatën e European Union Aviation Safety Agency.
Gjithsesi dr. Wright tregohet i kujdesshëm se kur makinat fluturuese mund të kenë një tërheqje nga masa.
“Makinat fluturuese janë e ardhmja? Po… dhe jo,” tha ai. “Revolucioni i transportit personal po vjen sigurisht, por nuk duket kështu. Nga pikëpamja e transportit, zë një vend mjaft interesant”.
Shërbime Aero-taksi
AirCar ngrihet dhe ulet si një avion konvencional dhe kërkon një licencë piloti për të fluturuar. Por disa kompani po punojnë për shërbime aero-taksi pa pilot, me fluturim autonom dhe ulje-ngritje vertikale.
Promovuesit shpresojnë se do të jenë një formë e leverdishme dhe fleksibël transporti dhe disa po tërheqin investime të konsiderueshme.
Të hënën, Boeing njoftoi se po investonte edhe 450 milionë dollarë në Wisk, kompaninë e taksive fluturuese autonome me seli në Kaliforni që e zotëron së bashku me Kitty Hawk, një shoqëri e krijuar nga bashkëthemeluesi i Google, Larry Page.
Burimi: BBC