Modeli i rritjes ekonomike të Shqipërisë ka nevojë për investime më të mëdha në aftësimin e kapitalit njerëzor, produktivitetin e firmave, qëndrueshmërinë si dhe financat publike, thuhet në Memorandumin e ri Ekonomik të Bankës Botërore (CEM) për Shqipërinë, të publikuar sot.
Shqipëria është prekur rëndë nga goditjet ekonomike që pasuan si tërmetin e vitit 2019, ashtu edhe pandeminë COVID-19. Pas qetësimit të situatës aktuale në sistemin shëndetsor, vendit do t’i duhet të rifokusohet në objektivat e tij ekonomike afatgjata, të cilat përfshijnë krijimin e një modeli të fortë dhe të qëndrueshëm të rritjes ekonomike për përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve, duke inkurajuar në këtë mënyrë njerëzit e kualifikuar dhe të talentuar të qëndrojnë në Shqipëri.
“Ky raport ofron një analizë të freskët të sfidave të zhvillimit të Shqipërisë, një përmbledhje të progresit në zbatimin e reformave dhe rekomandimet kyçe të cilat mund ta ndihmojnë Shqipërinë në rrugën drejt një rimëkëmbje ekonomike të qëndrueshme, elastike dhe gjithëpërfshirëse. Në rekomandimet tona ne jemi fokusuar gjithashtu tek veprimet që duhen të ndërmerren në mënyrë që shqiptarët të kenë jetë të shëndetshme dhe produktive dhe më shumë vende pune e punë më të mira”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.
Raporti diskuton katër fusha prioritare të zhvillimit për një ekonomi më të forte:
Investimi në kapitalin njerëzor dhe përmirësimin e aftësive për punë. Me qëllim adresimin e hendekut të aftësive, Shqipërisë do t’i duhet të orientojë fuqinë punëtore nga punët me kualifikim të ulët dhe të mesëm drejt atyre me kualifikim të lartë. Kjo kërkon përmirësim të procesit të të mësuarit, reformim të sistemit universitar dhe zhvillim të aftësive që përshtaten më mirë me nevojat e tregut të punës.
Rritja e produktivitetit të firmave dhe krijimi i mundësive për punë më të mira. PBB-ja për person të punësuar në Shqipëri do të rritej me 40% nëse bizneset shqiptare do të kishin të njëjtin nivel produktiviteti me atë të një firme mesatare në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për të rritur produktivitetin e firmave shqiptare, kërkohet përmirësim i mjedisit të biznesit, forcim i inovacionit dhe thellim i procesit të integrimit të shqiptarëve në ekonominë globale.
Krijimi i një modeli më të qëndrueshëm të rritjes ekonomike. Mbi 70% e mbetjeve në Shqipëri nuk menaxhohen si duhet, ndërkohë që tërmetet dhe përmbytjet shkaktojnë rreth 147 milionë dollarë dëme çdo vit. Shqipëria duhet të krjojë një model ekonomik të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe më të fortë ndaj fatkeqësive natyrore.
Forcimi i financave publike. Borxhi publik i Shqipërisë është shumë më i lartë se mesatarja e borxhit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Për të garantuar qëndrueshmërinë e financave të vendit, ështe e nevojshme që normat e tatimit mbi të ardhurat personale të jenë më të drejta, të rriten të ardhurat nga TVSH-ja dhe të riforcohet besueshmëria e politikës fiskale, veçanërisht nëpërmjet angazhimit të qëndrueshëm politik ndaj rregullave fiskale.