Nga pjatalarës mes 150 shefave më të mirë të kulinarisë në botë, përkufizim i një suksesi të merituar! Ravajol Hasani është kuzhinieri shqiptar që ka korrur sukses me karrierën e tij në Qipro. I larguar që në moshën 4 vjeç nga Shqipëria, Ravajol u zhvendos në Greqi me familjen e tij, aty ku gjeti mundësinë dhe mbështetjen për të bërë realitet ëndrrën e tij.
Në një intervistë për ProBizz.al, shefi i kulinarisë tregon rrugëtimin e tij në ndërtimin e këtij suksesi.
“Karriera ime nisi para shumë vitesh në moshë shumë të vogël. Jemi krijuar si familje në Greqi në kryeqyetin grek në Athinë. Që në moshë 16-17 vjeç si çdo fëmijë nisa nëpër punë duke pastruar restorantet dhe kuzhinat dhe avash-avash fillova hapat e mi të para.” – tregon Ravajol Hasani.
Ajo çka shef Ravajoli vlerëson më shumë nga Qipro, si një vend evropian, është harmonia, jetesa e mirë dhe vlerësimi që i ofron për profesionin që ushtron.
“Qipro më jep të gjitha materialet dhe një jetesë më të qetë. Është një vend të vlerësohesh për profesionin që ushtron, vlerësohesh për punën që bën dhe të jep gjithë mundësinë të zhvillohesh dhe të rrisësh me vlerat e tua avash-avash çdo hap. Të jep një stabilitet të mirë dhe një jetesë akoma më të mirë. Qipro ka atë harmoninë, atë zhvillimin si një vend evropian dhe të jep një mundësi më të mirë që të rrisësh, zhvillosh dhe të vlerësosh profesionin që ushtron dhe punën që bën.” – është shprehur ai.
Viti 2022, si një sërë vitesh të tjera, ka qenë shumë i suksesshëm për Ravajolin, duke u kthyer për të në inspirim për të mos u ndalur kurrë. Atributet për çmimet dhe vlerësimet e pafundme që ka marrë, siç janë ‘Luga e Argjend’, ‘Kapela e Artë’ dhe ‘Shefi më i mirë i kuzhinës për vitin 2016’…etj., ai ia jep punës së fortë, sakrificave që ka bërë prej vitesh, si dhe njerëzve që punojnë më të krahë tij duke e mbështetur dita-ditës.
“Vlerësimi si ambasador kuzhine ka filluar këtu dhe 4 vjet më përparë. Kam fatin dhe mundësinë të vlerësohem çdo vit kështu dhe të mbaj titullin dhe të arrij gjëra më të larta. Ky vlerësim jepet nga brenda 170 vende botërore dhe vlerësohesh për performancën dhe për arritjen që bën. Sivjet kisha kënaqësinë përveçse ambasador për 2022-shin të vlerësohem dhe brenda 150 shefave më të mirë në botë, të bëhem platinium në vlerësimin që marr këtu dhe 3 vjet që mbaj dhe kjo më jep dhe mua mundësinë dhe e shpërblen gjithë këto vite punë, sakrificë. Shpërblejnë të gjithë njerëzit që punojnë me mua ditë për ditë në të gjitha restorantet dhe projektet e mi në këtë fushë. Kështu që jam i lumtur që dhe kësaj radhe për këtë vit arrita vlerësimet që mundohem çdo vit të marr. Ky vlerësim aktualisht plotëson një seri vlerësimesh mbi 10 ndërkombëtare dhe më jepte mua mundësinë të arrij gjëra dhe të mundohem për gjëra më të mëdha dhe më të mira për vitet që do vijnë.” – thotë kuzhinieri.
Karrierën dhe suksesin e tij shef Ravajoli e ka shtrirë përtej Qipros, kudo nëpër botë, në Evropë, Azi dhe Amerikë. Tashmë është i gatshëm të finalizojë një nga projektet e tij më të mëdha, në New York.
“Projektet e ardhme janë shumë, më të mëdha dhe më të bukura. Sërish po punojmë për projektin e radhës që do të bëhet një mbrëmje e veçantë në Gjermani, një mbrëmje VIP dhe një gala mbrëmje. Këtu që do të marrë pjesë kam fatin që të gatuaj unë për personazhe nga tërë vendet botërore, kështu që do të jetë shumë interesant. Më vonë do të vijë projekti i radhës ku është Amerika, New York-u. Atje do të krijohen tre restorante shumë cilësore dhe shumë të mirë. Do të mundohem të realizoj dhe këtë ëndërr që të rrisë, të mundohem të zhvilloj një projekt më të veçantë dhe një projekt shumë interesant në New York dhe do të jetë dhe për mua një sfidë personale ku do të fokusohem për më të mirën dhe atje të mundohem të garoj në një treg shumë të vështirë. Besoj dhe jam i bindur që do t’ia dal sepse po e planifikojmë këtu një vit këtë projekt. Kështu që mund të them që është një nga projektet më të mëdha që do të mundem të realizoj.” – shprehet ai me plotë vetëbesim.
Misioni i Ravajolit është akoma më i madh sesa vetëm shkrirja e talentit dhe pasionit në menytë e tij fantastike.
“Puna ime aktuale ushtrohet nga shumë aspekte. Në radhë të parë mundohem të ndihmoj bizneset, restorantet, hotelet në çdo vend të botës, t’i suportoj. Mundohem të krijoj projekte ushqimore të veçanta përsëri në shumë vende botërore, dhe kam realizuar. Mundohem të certifikoj brezin e ri të kuzhinierëve, të certifikoj restorantet dhe hotelet për performancën që bëjnë dhe për standardet që kanë, të rinjtë që kanë ëndërr të arrijnë këtë fushë. Është e ardhmja jonë. Më ka dhënë këtë mundësi dhe Franca për certifikimin e të rinjve kështu dhe mundohem përvec këtë të jap konsulencën time aty ku duhet, aty ku ka nevojë. Përvec këtë kam refinimet me restorantet këtu ku jetoj dhe suportoj gjysmën e tregut. Më e rëndësishme është gatimi im personal në vendet e ndryshme ku mund të më thërrasin të qëndroj në ambientin atje dhe të mundohem t’i jap një cilësi dhe një gjë më të veçantë.”
Me bindje të plotë, ai jep një mesazh të vyer për të gjithë të rinjtë e apasionuar dhe me ëndrra të mëdha.
“Një mesazh për të rinjtë që duan të merren me këtë fushë. Ajo që dua të them është që gjithmonë të fokusohen, të arrijnë ëndrrat, mos të dorëzohen, të kenë durim, pasion, të bëjnë sakrificë dhe jam i bindur që një ditë pas shumë vitesh do të shpërblehen e sigurtë dhe gjithë kjo dashuri që do ta japin do ta marrin dyfish.”
Një shembull për t’u ndjekur, provë e gjallë se me dëshirë, punë dhe pasion, suksesi nuk është kurrë i paarritshëm, por vetëm disa hapa larg jush!/ProBizz.al