Gazetarët e vrarë ose të plagosur gjatë pushtimit rus të Ukrainës po nderohen në një ekspozitë në natyrë në Kiev, disa muaj pas luftës së Moskës.
“Lufta vazhdon, lufta nuk ka mbaruar. Dhe kjo është një luftë në të cilën po vdesin qytetarët tanë, në të cilën po vdesin gazetarë ukrainas dhe të huaj,” tha Tetyana Teren, drejtore ekzekutive e PEN Ukraine, një nga organizatorët e ekspozitës.
“Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë nga mediat e huaja që të tregojnë të vërtetën për këtë luftë dhe të vazhdojnë t’i tregojnë botës për krimet e Rusisë në vendin tonë”, shtoi ajo.
Portrete të gazetarëve dhe punonjësve të medias që janë bërë viktima të konfliktit, shikojnë kalimtarët nga tabelat e mëdha bardh e zi në qendër të kryeqytetit.
Ekspozita titullohet “Lufta nuk ka përfunduar ende” dhe u organizua nga autoritetet e qytetit të Kievit me ndihmën e grupeve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe shtypit.
Histori tragjike të treguara përmes fotove dhe dëshmive
“Okupatorët rusë vranë gazetarin, regjisorin dhe producentin amerikan Brent Renaud”, shkruhet në një nga panelet e mëdha të instaluara në një park qendror.
Renaud, i cili vdiq më 13 mars, ishte gazetari i parë i huaj që u vra nga forcat ruse pas pushtimit më 24 shkurt 2022.
Gazetarë të tjerë që kanë humbur jetën gjatë luftës, përfshijnë kameramanin franko-irlandez të Fox News, Pierre Zakrzewski, i cili vdiq më 14 mars së bashku me producenten ukrainase të lajmeve Oleksandra Kuvshynova.
Automjeti i tyre u godit nga zjarri, duke plagosur korrespondentin Benjamin Hall, në Horenka jashtë kryeqytetit ukrainas.
Gazetari francez Frederic Leclerc-Imhoff, vdiq më 30 maj duke shoqëruar civilët në bordin e një autobusi evakuimi në lindje të Ukrainës.
“Tani që kanë kaluar katër muaj nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, është më e rëndësishme se kurrë që të intensifikohet fokusi i botës në Ukrainë”, thanë organizatorët në një deklaratë.
“Kjo ekspozitë është një shprehje solidariteti me profesionistët e medias ukrainase që luftojnë për të vërtetën, duke rrezikuar jetën e tyre,” shtuan ata.
Sipas CPJ (Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve), 35 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës.
Burimi: Euronews