Z. Bo Li, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), lëshoi sot në Tiranë deklaratën e mëposhtme në përfundim të vizitës së tij në Shqipëri:
“Ishte kënaqësi të bëja vizitën time të parë në Shqipëri si Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i FMN-së. Dëshiroj të falënderoj Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe zyrtarë të tjerë për mikpritjen e tyre të ngrohtë dhe për mundësinë që më dhanë për të mësuar më shumë për kushtet ekonomike dhe financiare të Shqipërisë.”
“FMN ka një marrëdhënie afatgjatë dhe produktive me Shqipërinë. E vlerësoj këtë mundësi që pata për të forcuar marrëdhëniet tona dhe kam theksuar mbështetjen tonë të vendosur për Shqipërinë. Largohem me ndjenjën e një miqësie dhe partneriteti të forcuar pas takimeve me autoritetet, që më lanë përshtypje me nivelin e tyre të lartë të angazhimit.“
“Shqipëria ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë goditjeve të shumta në vitet e fundit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Autoritetet kanë reaguar shpejt ndaj këtyre goditjeve me politika duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara nga politikat më parë. “
“Në diskutimet e mia me autoritetet, theksova sfidat me të cilat përballet Shqipëria që vijnë si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, shtrëngimi i kushteve financiare dhe dobësimi i mjedisit të jashtëm. Është e nevojshme të mbështeten shtresat në nevojë nga presionet mbi koston e jetesës nëpërmjet politikave fiskale të mirëorientuara dhe të përkohshme. “
“Ne diskutuam gjithashtu politikat që duhet të ndërmerren për të inkurajuar potencialin e rritjes së Shqipërisë dhe konvergjencën e të ardhurave me BE-në dhe i kërkova autoriteteve të vazhdojnë me finalizimin dhe zbatimin e një Strategjie të shëndoshë Afatmesme të të Ardhurave.”