Një shqiptar që ka jetuar qoftë edhe pak kohë larg vendit, e kupton më së miri “drithërimën” që ndjen kur në një vend të huaj sheh një figurë apo një simbol që rrjedh nga vendlindja. Përkatësia kombëtare pavarësisht arsyeve përse një njeri lë vendin e tij, të paktën për shqiptarët vazhdon të mbetet e fortë. Ky ndoshta ka qenë edhe suksesi “ShqipFul”, një sipërmarrje me bazë kombëtare e dy të rinjve Rudina Kapo dhe Alban Selami. Sot në mbarë botën shqiptarë të rinj ose jo, të larguar herët ose tani vonë mund të mbajnë me krenari dhe dashuri veshjet dhe produktet e tyre. E veçanta e “ShqipFul”, një kombinim i traditës, me modernen dhe shpesh edhe me humori.
Rudina Kopo tregon për Diaspora Shqiptare, si lindi ideja e “ShqipFul”, sfidat që e shoqëruan sipërmarrjen, vendosjen e saj në SHBA si dhe suksesin që po korr në mbarë botën.
Nuk ka shqiptar në botë që të mos jetë i afeksionuar me simbolet shqiptare, por si lindi ideja për t’i bërë pjesë e jetës së përditshme?
“ShqipFul” u krijua ne vitin 2018 kur ne jetonim përkohësisht në Tiranë, por rrugëtimi që na solli këtu i ka fillesat shumë vite me parë, atëherë kur Albani ishte vetëm 13 vjeç dhe familja e tij u zhvendos në Amerikë.
Për gjithë shqiptarët e Diasporës besojmë se nuk është e nevojshme të shpjegojmë si ndjehet një djalosh i asaj moshe në një vend të ri ku komuniteti shqiptar është thuajse inekzistent dhe televizioni, e vetmja mënyrë informimi dhe edukimi me të cilën në atë kohë mund të lidhej me venlindjen, s’jepte asgjë mbi Shqipërinë/Kosovën përveçse disa lajmeve të rralla të eventeve sportive.
Me rritjen e aksesit që shqiptarët e Amerikës patën në internet prej ndryshimeve të reja teknologjike, u krijuan dhe forumet e para shqiptare online. Aty Albani, hynte dhe lidhej me shqiptarë të tjerë ku diskutonin mbi gjëra të përbashkëta, njëra prej tyre dhe mungesa në treg e fanellave të Kombëtares së Futbollit Shqiptar për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës në rastet e ndeshjeve sportive.
Për t’i rënë sa më shkurt, (që mos t’i bezdisim as lexuesit e gazetës 🙂 , po mjaftohemi duke thënë se Albani krijoi “AlbanFootball”, të parën kompani që shiti online dhe dërgoi në mbi 35 shtete fanellat e kombëtares. Jemi të bindur se shumë prej lexuesve tuaj kanë porositur nga ne. Prej punës sonë me “AlbanFootball” shumë shqiptarë të tjerë nëpër Evropë u frymëzuan për të hapur dhe ata dyqane të ngjashme.
Pastaj, për t’ju kthyer Shqipful-it, menduam “Mirë në raste ndeshjesh sportive që shqiptarët anembanë botës tani kanë ku të gjejnë veshje për të mbështetur skuadrën e zemrës dhe indentitetit të tyre kombëtar, po në jetën e përditshme?
Përse të jemi njerëz që flasim për pasurinë tonë historike e kulturore vetëm kur ka ndeshje apo vetëm kur arena ndërkombëtare vendos të flasi për ne?”.
Bëmë një kërkim tregu dhe pamë se i vetmi produkt që shitej ishte bluza tipike e kuqe me shqiponjën e zezë. Ajo bluzë, pavarësisht se me një nga simbolet më të rëndësishme të ekzistencës tonë si komb, nuk i tregonte asgjë një fëmije të lindur larg vendlindjes, as një bashkëshorteje jo-shqiptare apo një miku të huaj. Kështu, duke u mjaftuar vetëm me bluzën e kuqe me shqiponjën e zezë në mes, shqiptarët s’po tregonin më për pemët familjare, s’po këndonin më eposin e kreshnikëve, as vjershat e Naimit, as bëmat e heronjve, as sakrificat e baballarëve të kombit.
Ne donim të sillnim produkte me më shumë nuanca kulturore që mund të visheshin në përditshmëri. Kombi shqiptar ka shumë për të treguar dhe jo vetëm për një apo dy ditë të vitit. Kështu lindi ideja e “Shipful”.
Cili është dizenjuesi i produkteve?
Zakonisht ndodh që një person i vetëm ka një stil të caktuar pune. Duke zbatuar dhe në dizajn atë këshillën e Gjergj Kastriotit “bashkimi bën fuqinë” ne sollëm një larmishmëri stilesh.
Pra, dizenjuesi nuk është një. Ata janë shumë dhe janë të gjithë shqiptarë të shpërndarë nëpër botë. Ky ishte dhe gjithë qëllimi i punës sonë, të sillnim larmishmëri nga gjithë trevat shqiptare, të promovonim punën krijuese dhe trashëgiminë kulturore që shqiptarë të vendeve të ndryshme kanë.
Motoja e punës tonë është “me dashuri nga shqiptarët për shqiptarët” dhe ne punojmë vetëm me shqiptarët. Nga dizajnerat te fotografët dhe modelët të gjithë janë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës.
Si është puna për krijimin e një produkti, psh. te bluzave. Si e zgjidhni ju figurën temë?
Thuajse 90% e punës tonë fillon në momentin që dikush hyn në ëebsite-n tonë dhe porosit. Kur porosia vjen në sistem ne fillojmë me printimin apo qepjen e dizajnit mbi produktin, qofte ajo një bluzë, filxhan apo kapele. Pasi porosia bëhet gati ne e postojmë atë dhe i nisim klientit numrin e gjurmimit në email. Pastaj thjesht presim për mbërritjen e pakos dhe përshtypjen e klientit.
Në shumicën e rasteve nuk jemi ne ata që zgjedhin figurën temë. Kur ne gjejmë dizajnera të talentuar shqiptarë dhe na pëlqen një punë specifike kërkojmë që ta huajmë dizajnin e tyre. Për çdo shitje produkti ku është përdorur dizenjoja, dizajneri përkatës merr një përqindje të fitimit. Ose ndodh që pas njëfarë kohe ne ja blejmë dizajnerit punimin. Sigurisht qe ne zgjedhim dizajne që kombinohen mirë me qëllimin dhe vlerat tona dhe dizajne që përgjithësisht nxjerin në pah personazhe të reja apo ngjarje historike për të cilat nuk është folur më parë.
Shoh qe i keni qëndruar besnik tradicionales por gjithashtu keni futur elemente modern (madje edhe humoristik në ndonjë vend si Frashëri Bros psh). A është mirëpritur kjo ndërthurje?
Po, shume madje. Karakteret e njerëzve janë të ndryshme. Disa janë më seriozë dhe disa janë më humoristikë, disa më të prirur drejt historisë dhe disa më të prirur drejt artit. Kështu jemi ne, kështu janë artistët me të cilët punojmë dhe kështu kanë qenë dhe paraardhësit tanë apo trevat e ndryshme shqiptare.
Ideja është që çdo shqiptar kudo apo sido që është, të ketë dëshirë të vishet çdo ditë me këto produkte dhe të ndjehet mirë me to, të ndjehet vetvetja, të ndjehet i përfaqësuar.
Cili është produkti më i shitur deri tani?
Kemi mbi 200 produkte dhe është e vështirë t’i vendosim gishtin vetëm një produkti të vetëm, por si kategori bluzat janë ato që shiten më shumë. Sidomos bluzat me simbole ilire apo ato që lidhen me Gjergj Kastriotin pëlqehen tepër sepse edhe mund të mbahen veshur dhe dizenjoja qëndron shumë krenare mbi gjoks. Ndoshta dhe sepse ky është produkti me të cilin e filluam.
Një tjetër produkt që shitet shumë është pendanti me stemën e Kastriotëve. Ky është një punim dore dhe shërben dhe si një dhuratë tepër e veçantë. Pavarësisht se s’ka shumë që është prezantuar, ai pothuajse gjithmonë është ose në sasi shumë të ulët ose është jashtë stokut.
Sa kohë keni që e keni nisur këtë sipërmarrje?
“Shqipful” ka nisur në maj të 2018-tës, por ngjarjet dhe puna që na ka çuar deri këtu ka një jetë që ndodh në njëfarë forme. Tani e kuptojmë më mirë se gjithçka që ka ndodhur, ka ndodhur për të na sjellë pikërisht në këtë moment.
Çfarë do të thotë “ShqipFul”? Ka ndonjë domethënie të veçantë?
Po, si shqiptaro-amerikanë që jemi kemi zgjedhur të krijojmë këtë emër nga kombinimi i dy fjalëve në të dyja gjuhët. Shqip- me kuptue (siç themi ‘a ha shqip?’ apo ‘thuaje shqip, pra thuaje troç dhe në mënyrë të kuptueshme’) dhe full- nga anglishtja qe dmth plot. Pra Shqipful (shqiptohet Shqip Full) do ta shpjegonim si ‘plot me kuptim, plot me shqip’. Besojmë se është e vetkuptueshme pse ky emër ka shumë domethënie për ne.
Flasim pak për ju? Cila është historia juaj e emigrimit?
Albani ka studiuar në Amerikë administrim biznesi kurse unë gazetari e komunikim në Tiranë e më vonë ka studiuar mbi vetëdijen dhe edukimin në Tailandë dhe Hollandë.
Kur Albani themeloi “AlbanFootball” ai u rikthye sërish pas shumë vitesh në Amerikë, për të rijetuar për katër vite në Shqipëri. Gjatë atyre katër viteve njohëm me njëri-tjetrin dhe filluam të jetonim bashkë.
Ndërkohë që Albani merrej me AlbanFootball, unë jepja leksione mbi meditimin dhe përdorimin më efektiv të potencialit mendor.
Po gjatë asaj kohe, sidomos pas shumë udhëtimeve nëpër trevat shqiptare dhe takimit të shumë shqiptarëve të talentuar, themeluam dhe Shqipful-in. Tani jetojmë në pjesën më të madhe të kohës në Amërikë, por vijmë çdo vit në trevat shqiptare.
A ka qenë e vështirë përshtatja në Amerikë?
Çdo zhvendosje ka vështirësitë e veta, por mendojmë se për shumë gjëra është shumë më e lehtë të përshtatesh në Amerikë se në çdo vend tjetër të botës. Kjo sepse Amerika, paçka se shumë larg fizikisht dhe kulturalisht nga Shqipëria, është një ndër të paktat vende në botë ku shqiptarët trajtohen si të barabartë dhe askush nuk u pret hovin dhe idetë. Për më tepër, ne jemi të lumtur që jetojmë në një vend që historikisht ka ndihmuar që Shqipëria të ekzistojë dhe të ketë identitetin e vet kombëtar.
Keni në plan të hapni dyqane në troje?
Jemi mësuar që kurrë mos të themi kurrë. Për momentin gjithësesi kjo nuk është në planet tona afatshkurtra edhe pse e kemi menduar disa herë këtë gjë.
Festa e 28 Nëntorit po afron dhe shumë shqiptarë në mbarë botën mund të dhurojnë produktet tuaja. Si mund ta bëjnë këtë?
Porositë në dyqanin tonë janë shumë të lehta dhe procesi është krejt i thjeshtë dhe miqësor. E rëndësishme ama është që të porositësh disa kohë përpara pasi përgatitja, dërgesa dhe mbërritja merr disa kohë.
Procesi është ky:
Hyn te www.shqipful.com dhe shikon gjithë kategoritë mbi të cilat interesohesh. Poshtë çdo produkti gjen butonin me të cilin shton produktet në çantën apo karrocën tënde virtuale. Pasi ke zgjedhur çdo gjë që të duhet kliko te simboli i çantës në të djathtë lartë dhe procesi te çon vet deri në fund ku vendos adresën e dërgimit, personin marrës, adresën e emailit dhe numrin e telefonit. Pagesa bëhet me një credit card ose nga llogaria jote e PayPal.
Pasi kryen pagesën të vjen një email konfirmues që të tregon gjithë produktet që porosia jote përmban dhe të informon se sapo porosia të bëhet gati dhe të të niset do të vijë një email tjetër me numrin e gjurmimit që të kesh mundësi në çdo kohë të shohësh ku është porosia jote dhe kur pritet të mbërrijë.
Ne bëjmë dërgesa në gjithë botën dhe për çdo pyetje apo vështirësi kushdo mund të na kontaktojë në faqen tonë në Instagram apo në emailin tonë në [email protected].
Burimi: Diaspora Shqiptare