Siç parashikohet në marrëveshjen ekzistuese të vitit 2020 dhe rinovuar në vitin 2021 për mbështetjen e Bankës së Shqipërisë me një linjë likuiditeti në vlerën 400 milionë euro, Banka Qendrore Evropiane dhe Banka e Shqipërisë kanë rënë dakord për zgjatjen e afatit të saj deri në muajin janar 2024.
Pavarësisht se deri tani kjo marrëveshje huaje e kolateralizuar (REPO) nuk ka qenë e nevojshme të përdoret, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezervë mbetet i dobishëm në kuadër të pasigurive të shtuara, që vijnë nga vazhdimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, në ekonominë globale dhe tregjet financiare.
Këshilli Drejtues i BQE-së vendosi të zgjasë gjithashtu linjën e tij të përkohshme swap me Poloninë si dhe linjat e përkohshme të repove me bankat qendrore të Shqipërisë, Andorrës, Hungarisë, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë dhe San Marinos.
Burimi: Banka e Shqiperise