Eralda Mazreku, themeluese e Graphic House, një nga kompanitë më me zë në vend, është një grua vizionare, plot dëshira dhe pasione për të realizuar. Përtej arsimimit të saj dhe diplomimit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, pasionet e saj kanë qenë gjithmonë arti dhe letërsia, të cilat vazhdon t’i shpalosë edhe sot. Kësaj here, ajo e gjeti veten në një dimension tjetër.
“Çdo mbremje e imja ka frymëzim për të shkruar, por kësaj here shkrimet e mia vijnë në një tjetër profil, atë të një skenari letrar, të cilin shumë shpejt do ta kemi të vënë në jetë në një film me metrazh të shkurtër.” – tregon Eralda për ProBizz.al.
Eralda ka hapur thirrjen për pjesëmarrjen në projektin e saj më të ri, në qendër të së cilit qëndrojnë komunitetet rome dhe ato egjiptiane.
“Gjithmonë kemi lobuar për mos diskriminimin e tyre, por padashur duke shfaqur dhe prekur atë target grup, i cili është i paarsimuar dhe me mundësi të pakta ekonomike ne sërish kemi rënë në vorbullën e diskriminimit.” – shprehet ajo.
Problematika ka jo vetëm në këto komunitete, por pafund edhe tek pjesa tjetër e shoqërisë dhe pikërisht kjo është problematika më madhore e jona, vëmë në dukje modelin më të keq në vend që atë ta sfumojmë me aftësitë, arritjet, mundin dhe jetesën dinjitoze të këtyre komuniteteve.
“Frymëzuar nga kjo situatë dhe nga kërkesa e një mikes sime që i përket këtij komuniteti, vendos të shkruaj një skenar letrar e më pas të punojmë fortë së bashku me regjinë, operatorët, montazhierët e aktorët që si familje e madhe me pigmentime të ndryshme lëkure të promovojmë këtë film me metrazh të shkurtër.” – thotë znj. Mazreku.
Këtu ku thelbi është diversiteti e humanizmi, ku vlerësohet e brendshmja e jo e jashtmja, ku jo vetëm ta shprehim për hir të rrethanave, por edhe ta ndjejmë barazinë dhe në subkoshiencën tonë!
“Të shfaqim në këtë film atë ç’ka më së miri dimë të bëjmë… të jetojmë jetën tonë pa frikën e paragjykimeve, pa komplekse, por plot DASHNI!” – është kërkesa e përzemërt e Eraldës.
Tashmë audicionet janë të hapura që prej datës 25 shkurt e deri më 15 mars.
Eralda dhe grupi i saj i punës mirëpret fëmijët tuaj për t’u bashkuar me familjen e tyre të madhe dhe për të përjetuar emocionet e forta të xhirimeve!/ProBizz.al