Në datën 10 mars 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës* të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), zhvilluar në San Marino.
Ky takim mblodhi së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse. Më në veçanti, në fokus të kësaj mbledhjeje ishin sfidat e rimëkëmbjes post-COVID dhe tensionet gjeopolitike.
Në këtë mbledhje, Shqipëria përfaqësohej nga zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të kryesuar nga z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dhe zj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka luajtur normalizimi i politikës monetare në kushtet e një inflacioni të lartë në vend. Inflacioni ka vijuar trendin rënës për të katërtin muaj radhazi dhe pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. “Banka e Shqipërisë monitoron me kujdes situatën duke vlerësuar të dhënat e reja, të cilat do të diktojnë shpejtësinë dhe intensitetin e normalizimit të politikës monetare”, tha Guvernatori. Ndërkohë, ekonomia shqiptare ka shfaqur një rezistencë të mirë ndaj goditjeve të huaja të ofertës dhe shtrëngimit të kushteve monetare në vend dhe në botë dhe pritet të vijojë të rritet.
Përsa i përket tregjeve financiare, ato mbeten relativisht të qeta, edhe në prani të shtrëngimit global të kushteve të financimit, dhe bilancet e sektorit bankar paraqiten të shëndetshme. Ndryshimet e normës bazë janë përcjellë kënaqshëm në tregun ndërbankar, ndërkohë që treguesit kryesorë të stabilitetit financiar pritet të mbeten në kontroll. Kredia për bizneset dhe familjet ka vijuar të rritet, ndonëse me ritme më të ngadalësuara.
Në përfundim, Guvernatori Sejko paraqiti pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi temat kryesore të diskutimit të kësaj mbledhjeje. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë si autoriteti monetar i vendit mbetet e angazhuar të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetje të rritjes së qëndrueshme dhe forcimit të balancave kryesore makroekonomike në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit të tij në San Marino, Guvernatori Sejko dhe Zëvendësguvernatorja e Parë Minxhozi zhvilluan një takim me përfaqësues të Bankës së Italisë, të fokusuar kryesisht në zhvillimet e sistemeve të pagesave, inovacionin në teknologji dhe infrastrukturë, si dhe sfidat e lidhura me to. Banka e Shqipërisë synon modernizimin e mëtejshëm të sistemeve të pagesave për akomodimin e zhvillimeve në këtë fushë në mënyrë të sigurt dhe efikase.
* Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej muajit tetor të vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Federico Giamusso.
Republika e Shqipërisë është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Matteo Bugamelli.
Burimi: Banka e Shqiperise