Megjithëse Tirana është qendra metropolitane e vendit, ku është përqendruar popullsia dhe aktivitetet ekonomike, rezulton të renditet në mesin e tre qarqeve me treguesit më të dobët të punësimit, së bashku me Dibrën dhe Lezhën.
Sipas të dhënave të detajuara nga INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit 2022 vetëm 50.7% e popullsisë së kryeqytetit në moshë pune ishte zënë në punë. Më keq se Tirana ishte Dibra, ku vetëm 48.5% e popullsisë në moshë pune punonte dhe Lezha me 44.3% e popullsisë aktive në punë.
Shkalla e punësimit është treguesi më afër së vërtetës për zhvillimet në tregun e punës pasi tregon raportin e të punësuarve 15-64 vjeç kundrejt popullsisë në moshë pune.
Shifrat që burojnë nga Anketa e Forcës së Punës tregojnë se vetëm gjysma e popullsisë në moshë pune në kryeqytet punon, pjesa tjetër është në inaktivitet ose është në kërkim të një pune dhe nuk e ka gjetur ende.
Në kundërt qytetet me popullsi më aktive në tregun e punës janë Korça, Berati dhe Gjirokastra. Zhvillimi i turizmit dhe bujqësisë në këto qytete, e shoqëruar edhe me rënien e popullsisë ka bërë që gjithnjë e më shumë të rritet nxënia më pune e popullsisë së mbetur.
Berati është qarku me shkallën më të lartë të punësimit, ku 65.7% e popullsisë në moshë pune punon, me pas vjen Korça me 65%, Gjirokastra me 64% dhe Fieri me 63%.
Ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2021 në tremujorin e katërt 2022, është +4, %. Në terma vjetorë, punësimi u rrit me 0,5% në sektorin e industrisë, me 6,3% në sektorin e shërbimeve, dhe me 3,8% në sektorin e bujqësisë.
Në shkallë kombëtare shkalla e punësimit për burrat e grup-moshës 15-64 vjeç është 71,8%, ndërsa për gratë është 61,4%.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 3,0 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 6,0 pikë përqindje.
Në tremujorin e katërt të vitit 2022 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,6 %. Ky tregues është rritur me 1,8 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, dhe me 0,9 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e tretë 2022. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2022, shkalla e punësimit është 77,0 %.