Shqipëria po përgatitet të zbatojë një skemë të re riciklimi, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësi të marrin mbrapsht paratë e paguara për depozitën e shisheve plastike të pijeve. Nisma synon të nxisë riciklimin dhe të ulë ndotjen e mjedisit nga mbetjet plastike.
Sipas projektit, gjatë blerjes së një pijeje, konsumatorët do të paguajnë një shumë shtesë, të cilën do ta rimarrin pasi të dorëzojnë shishen në pikat e posaçme të grumbullimit. Për këtë qëllim, parashikohet edhe vendosja e makinerive automatike ku qytetarët mund të kthejnë ambalazhet e përdorura.
Projektvendimi është ende në fazën e konsultimit publik, ndërsa shuma që do të paguhet si depozitë dhe vendndodhja e pikave të grumbullimit nuk janë përcaktuar ende.
Për zbatimin e skemës parashikohet një periudhë tranzitore deri më 31 dhjetor 2028, kohë gjatë së cilës pritet të krijohet infrastruktura e nevojshme për funksionimin e saj.
Përveç përfitimit financiar për qytetarët, synimi është që shishet plastike të mos përfundojnë në rrugë, lumenj apo hapësira të tjera natyrore, por të kthehen në një cikël të ri përdorimi përmes riciklimit. Nëse zbatohet me sukses, kjo skemë mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si shqiptarët menaxhojnë mbetjet dhe kujdesen për mjedisin.











