Pronarët e apartamenteve që nuk paguajnë tarifat e administrimit të pallateve do të përballen me masa më të forta, që mund të shkojnë nga kamatëvonesat e larta deri te procedurat përmbarimore dhe kufizimi i pronës në Kadastër. Rregullorja e re e miratuar nga qeveria, e botuar në Fletoren Zyrtare më 23 tetor, përcakton më qartë mënyrën se si do të mblidhen detyrimet dhe si do të administrohen ndërtesat e banimit.
Pagesa e tarifës së administrimit nuk është një detyrim i ri për qytetarët, pasi parashikohej që në ligjin e vitit 2009. Megjithatë, kuadri ligjor i miratuar në vitin 2025 ka forcuar ndjeshëm masat ndaj atyre që nuk paguajnë në kohë. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kamatëvonesën, e cila sipas rregullave të reja arrin në 30% të tarifës mujore për çdo muaj vonesë, nga 10% që parashikohej më parë.
Një tjetër masë që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te pronarët është mundësia e kufizimit të pronës në Kadastër. Kjo procedurë mund të kërkohet kur një pronar nuk ka paguar tarifat e administrimit për të paktën 12 muaj ose kur detyrimi i papaguar arrin të paktën 0.5% të vlerës së apartamentit. Pas ndjekjes së procedurave ligjore, prona nuk mund të shitet, të transferohet apo të ngarkohet me barrë deri në shlyerjen e detyrimeve.
Megjithatë, kufizimi nuk vendoset automatikisht. Përpara se të ndërmerret kjo masë, duhet të merret një vendim nga kryesia e pallatit me shumicën e kërkuar, ndërsa pronari duhet të njoftohet me shkrim të paktën 10 ditë përpara marrjes së vendimit. Pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm, Kadastra ka 15 ditë kohë për të regjistruar kufizimin. Në momentin që borxhi shlyhet dhe dorëzohet vërtetimi bankar përkatës, kufizimi duhet të hiqet brenda pesë ditëve.
Rregullat e reja sqarojnë gjithashtu se detyrimi për të paguar tarifën e administrimit mbetet në fuqi edhe kur apartamenti është bosh, nuk përdoret nga pronari apo është dhënë me qira. Pra, fakti që një banesë nuk shfrytëzohet nuk e përjashton pronarin nga pagesa për mirëmbajtjen dhe administrimin e ambienteve të përbashkëta të pallatit.
Tarifa mujore përcaktohet nga asambleja e bashkëpronarëve, ndërsa në rastet kur nuk arrihet dakordësi, zbatohet tarifa e referencës e miratuar nga këshilli bashkiak. Për ambientet që përdoren për veprimtari tregtare, tarifat duhet të jenë më të larta se ato të aplikuara për apartamentet e banimit.
Përveç masave ndaj debitorëve, rregullorja synon të përmirësojë edhe mënyrën se si menaxhohen paratë e mbledhura nga banorët. Parashikohet krijimi i llogarive bankare për mbledhjen e tarifave dhe administrimin e fondit rezervë, i cili do të shërbejë për mirëmbajtjen e ndërtesës, riparimet dhe ndërhyrjet emergjente. Në këtë mënyrë synohet që fondet të menaxhohen në mënyrë më të rregullt dhe të përdoren për nevojat e përbashkëta të banorëve.
Një rol më të madh në këtë proces do të kenë edhe bashkitë, të cilat do të mbikëqyrin zbatimin e standardeve të mirëmbajtjes së ndërtesave. Qëllimi është që administrimi i pallateve të mos mbetet vetëm në vullnetin e banorëve apo të administratorëve, por të funksionojë sipas rregullave të përcaktuara.
Me hyrjen në fuqi të rregullores, qeveria synon të vendosë më shumë rregull në administrimin e pallateve dhe të sigurojë fondet e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre. Për pronarët, mesazhi është i qartë: pagesa e tarifës së administrimit mbetet një detyrim edhe kur banesa nuk përdoret, ndërsa vonesat e gjata mund të sjellin pasoja financiare dhe ligjore që shkojnë përtej një borxhi të papaguar.











