Taksimi mbi pronën pritet të rritet.
Strategjia e re e decentralizimit 2023-230 parashikon rritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore për ofrimin e shërbimeve, si edhe e autonomisë fiskale vendore. Synimi kryesor është rritja e nivelit të autonomisë financiare të pushtetit vendor, veçanërisht duke rritur nivelet e financimit të funksioneve vendore.
Rritja e autonomisë fiskale është parashikuar të arrihet nëpërmjet (i) rritjes së të ardhurave vendore nga tatimi mbi pasurinë e paluajtshme, (ii) rritjes së pjesës së taksave të ndara, dhe (iii) gjenerimit të të ardhurave nga aktiviteti ekonomik i njësive te veteqeverisjes vendore nëpërmjet përdorimit më eficent te aseteve vendore.
Ky objektiv mund të synojë në një periudhë afatmesme që të arrihet niveli i të të ardhurave totale vendore në përqindje të PBB-së i barabartë me mesataren e të ardhurave të vendeve të rajonit (rreth 5.2%).
Ndërsa në afatgjatë, mund të synohet të arrihet mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian prej 10.6% e PBB-së.
Realizimi i plotë i objektivave të strategjisë si ndërthurje e decentralizimit fiskal dhe funksional është parashikuar të bëhet e shtrirë në kohë.
Rritja e të ardhurave vendore nga tatimi mbi pasurinë e paluajtshme
Tradicionalisht, theksi i decentralizimit fiskal dhe rritjes se te ardhurave është tatimi mbi pronën, për shkak te potencialit për financat e pushtetit vendor duke mbetur relativisht një taksim më i drejtë në krahasim me taksimet e tjera.
Të ardhurat nga taksat mbi pronën për Shqipërinë zënë rreth 20% të të ardhurave të veta të vetëqeverisjes vendore dhe mbeten te ulëta krahasuar me vendet e rajonit.
Për Shqipërinë të ardhurat janë rreth 0.3% e PBB ndërsa rajoni ynë ka një mesatare prej 0.7%
Modeli evropian sugjeron që në një perspektivë afatgjatë ka shumë hapësirë për rritjen e të ardhurave nga taksimi i pronës.
Ndaj, bashkitë do të bëhen pjesë e një reforme që ka dy objektiva, afatmesëm dhe afatgjatrë.
Objektiv afatmesëm do të jetë: rritja e te ardhurave për të gjithë kategoritë e tatimit mbi pronën, si për tatimin e ndërtesave, truallit apo tokës bujqësore. Si objektiv afatshkurtër mund të jetë rritja e të ardhurave nga taksimi mbi pronën në 0.7% të PBB-së, nga 0.3% e PBB-së që është aktualisht, nëpërmjet zgjerimit të bazës së tatueshme, falë administrimit më të mirë fiskal.
Objektivi afatgjatë do të synojë rishikimin e taksimit mbi pronën dhe vlerësimin e përshtatshmërisë së nivelit aktual të tatimit, i cili mbetet i ulët krahasuar edhe me vendet e rajonit, si edhe i ulët në krahasim me koston administrative të mbledhjes së tij. Ndërsa aktualisht po punohet për taksimin e ndërtesave mbi bazën e vlerës së tregut, në planet e reformës është dhe taksimi i truallit mbi bazën e vlerës së tregut .
Po ashtu, rritja e sipërfaqes së ndërtuar aktualisht, e reflektuar në rritjen e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, pritet të rezultojë në një rritje të bazës së taksueshme për tatimin e pronës në vitet në vijim.
Si pjesë e rritjes së eficencës së mbledhjes së taksës së pasurisë, përveç normës së mbledhjes, duhet konsideruar edhe ulja e kostove administrative të mbledhjes së kësaj takse.
Referencat tregojnë se norma vjetore e kostos administrative kundrejt totalit të të ardhurave luhatet nga 2% deri 5 % ne vendet e zhvilluara dhe rreth 6% ne vendet ne zhvillim. Normat mbi 10 % (siç është rasti i Shqipërisë), tregojnë për problematika serioze në administrim.
Në listën e ndryshimeve që pritet të ndërmerren në fushën e taksave, ekziston mundësia që qeveria qendrore të ndërhyrjë në ligj duke mundësuar një metodologji të re të ndarjes së taksës nga tatimet kombëtare, duke përfshirë si përfiturese edhe vetë bashkitë ashtu sikurse edhe të rrisë përqindjen që shkon për pushtetin vendor nga renta e shfrytëzimit të burimeve natyrore.