Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) regjistroi rritje me 0.8 % në muajin Qershor sipas raportit të fundit “Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit” nga Banka e Shqipërisë.
Aktualisht ky nivel qëndron në 19.6 pikë mbi mesataren afatgjatë, niveli më i lartë historik. Rritja e TNE-së u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit, tregtisë si dhe nga përmirësimi i besimit konsumator.
Ndërsa treguesi i besimit të industrisë u rrit me 1.2% në muajin që lamë pas, i ndikuar pozitivisht nga vlerësimet optimiste për kontratat porositëse, kryesisht atyre të eksporteve.
Ndërkohë, pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin dhe për punësimin në të ardhmen janë ulur. Ndërsa Treguesi i besimit konsumator (TBK) rezultoi i përmirësuar me rreth 0.6% në Qershor. Niveli i tij, prej muajit Mars, qëndron mbi mesataren historike, për herë të parë që nga muaji Shtator 2021.