Në takimin e zhvilluar për bilancin e sezonit turistik, kryeministri Edi Rama deklaroi se do ta kthejmë Shqipërinë e vitit 2030 në një vend kampion të turizmit në rajonin tonë.
“Bumi turistik i këtij vit përtej të gjithë efekteve të jashtëzakonshëm pozitivë na vuri përpara edhe sfida të mprehta që ne duhet të fillojmë t’i adresojmë menjëherë.
Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm, të gjithë nivelet e qeverisjes, por edhe sektori i sipërmarrjes në turizëm se rreziku që gjithë ky nam i madh dhe i mirë kudo në botë i këtij viti të kthehet në bumerang në vitin në vijim apo dy tre vitet që vijnë është real”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se shtatori është mbyllur me 1.1 milionë vizitorëve të huaj, që është një shifër shumë më e lartë se ajo e shtatorit të kaluar. “Deri në fundin e gushtit kemi arritur mbi 7 milionë turistë nëse tetori e nëntori do ruajnë trendin e dhjetorit do jetë po ashtu një muaj surprizues pozitivisht. Me këtë trend ne mund të arrijmë edhe 10 milionë turistë këtë vit. Me siguri ne këtë vit do ta prekim tavanin e 9 milionë turistëve të huaj”, u shpreh Rama.