Një program trajnimi dhe mentorimi për mbi 30 startupe të grave po zhvillohet këtë muaj nga Qendra Kallz. Programi synon të fuqizojë startupe të krijuara dhe drejtuara nga gra e vajza në konsolidimin e idesë së biznesit, krijimin e një plani biznesi, konsolidimin e produktit dhe marketingun e tij si dhe t’i përgatisë ato për konkursin e Women Startup Competition që do të zhvillohet në muajin Nëntor në Tiranë. Këtë vit aktiviteti Women Startup Competition në Tiranë mbështetet nga BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla, financuar nga EU – Western Balkans Enterprise Development & Innovation Facility (EDIF).
Aksesi në financë dhe në njohuri janë dy nga sfidat kryesore më të cilat aktualisht përballen bizneset e vogla dhe të mesme. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nëpërmjet Këshilla për Bizneset e Vogla zbaton programe të dedikuara mbështetëse ndaj këtyre bizneseve me qëllim rritjen e konkurueshmërisë së tyre, jo vetëm në tregun lokal por dhe ato ndërkombëtare.
Menaxherja e “Këshilla për Bizneset e Vogla” të BERZH, Ardiola Hristiç tha se, “fokusi i aktiviteteve të Këshilla për Bizneset e Vogla të BERZH është mbështetja e bizneseve me projekte të dedikuara konsulence të cilat dizenjohen sipas nevojave specifike të tyre. Prioritet kanë të gjitha kompanitë të cilat operojnë në sektorë strategjikë të ekonomisë si agrobiznesi dhe turizmi si dhe bizneset të cilat janë të drejtuara nga gratë dhe të rinjtë. Inovacioni, dixhitalizimi dhe idetë e reja si dhe transformimi në biznese të gjelbërta janë komponentë të cilat kanë fokusin kryesor në çdo projekt që ne mbështesim”.
Afërsisht një e treta e kompanive të mbështetura nga BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla janë të drejtuara nga gratë. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar trajnimit dhe rritjes së kapaciteteve të bizneseve të drejtuara nga gratë dhe të rinjtë. Programet e trajnimeve të realizuara deri më sot kanë synuar përmirësimin e aftësive menaxheriale dhe rritjen e njohurive në drejtime si menaxhimi financiar, transformimi dixhital i kompanive, programe mentorshipi dhe coaching, etj. Këto programe për mbështetjen e grave dhe të rinjve, synojnë, jo vetëm rritjen e pavarësisë financiare të tyre, por edhe rritjen e impaktit social që këto biznese kanë në ekonomitë lokale të vendit.
Gjatë këtyre viteve, BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla me financim të donatorëve të ndryshëm, ka dhënë një mbështetje të konsiderueshme për SME-të në sektorë prioritarë të ekonomisë, siç janë agrobiznesi, turizmi, prodhuesit, eksportuesit, etj. duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e fuqizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme në vendin tonë.
Ky është viti i dytë që Qendra Kallz përgatit startupet për Konkursin e Women Startup Competition, duke përfshirë në trajnime 60 biznese të reja, drejtuar nga gra dhe vajza. Konkursi final për Shqipërinë këtë vit zhvillohet me 10 Nëntor në Tiranë dhe startupi fitues do të marrë pjesë në konkursin final të Women Startup Competition Europë në Vjenë në muajin Dhjetor.
Burimi: Businessmag.al