Rama: Brenda 2030 vendi ynë do shndërrohet në një eksportuese neto të energjisë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në mbledhjen vjetore të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që mbahet për herë të parë në Shqipëri.
Kryeministri Rama e vlerësoi mbledhjen si një shkëmbim të frytshëm, teksa u shpreh “kjo ndodh në kohë jo fort të lehta, në një situatë, ku të gjitha vendet në Europë iu duhet të përballen me sfida të veçanta, por kjo është një arsye më shumë pse ndiejmë rëndësinë e kësaj mbledhjeje dhe pse besojmë që ky shkëmbim do të jetë mjaft i frytshëm dhe me shpresë do të na japë gjëra për të menduar për mënyrën sesi të përballojmë sfidat dhe t’i qasemi të ardhmes së afërt, duke qenë të ndërgjegjshëm për rreziqet e në të njëjtën kohë duke gjetur mënyra krijuese për t’ia dalë”.
“Ju mund të jeni të njohur me reformën mjaft të thellë që kemi ndërmarrë në sektorin energjetik, që ka qenë problemi ynë më sfidues për dekada me radhë, tashmë ia kemi dalë mbanë të kemi një situatë të qëndrueshme e të mos rrisim çmimet e energjisë edhe pse si çdokush tjetër jemi tejet të sfiduar nga kriza globale e energjisë dhe sidomos kriza europiane e çmimeve të energjisë.
Synimi ynë ndërkohë është ta shndërrojmë vendin tonë në një ekspertues neto të energjisë brenda 2030, ndaj po investojmë shumë në energjinë diellore, të erës edhe duke qenë një vend i cili funksionon me 100% energji të përtëritshme sa i takon prodhimit të energjisë elektrike. Duam që t’i mbajmë gjërat kështu siç janë e të mos biem pre e zgjidhjeve të lehta e të vazhdojmë të zgjerojmë dhe të diversifikojmë portofolin e sektorit energjetik me të gjitha llojet e energjive të ripërtëritshme”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare .