Të gjithë fermerët dhe blegtorët në vend do të mund të përfitojnë nga Skema Kombëtare e Qeverisë për Mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural. Nga Tregu i ri Agroushqimor në Farkë, ‘AgroPark Tirana’, i ndërtuar posaçërisht për fermerët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, prezantuan Skemën Kombëtare 2024, si një mundësi e shkëlqyer për të rritur prodhimin dhe ulur kostot.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ndërtimi i këtij tregu është një tjetër fjalë e mbajtur, që jep garanci edhe për realizimin e investimeve të tjera në këtë sektor. “Më vjen mirë që jemi sot në një hapësirë të një fjale të mbajtur. Kjo do të thotë se gjasat janë se për sa kohë që jemi në një premtim të mbajtur, qëllimin e kemi 100% të mbajmë edhe premtimet që japim sot, duke filluar nga data 27 mars, kur hapen thirrjet për subvencionime në të gjithë territorin e Republikës, por sigurisht ne të Tiranës do i bëjmë. Gjithmonë e më shumë, jo vetëm kufijtë e qytetit, por edhe ekonomia e qytetit, do identifikohet me njerëzit e punës”, tha Veliaj.
Gjatë bashkëbisedimit, kreu i Bashkisë ftoi bizneset, por edhe qytetarët, që të blejnë produkte lokale, të cilat ofrojnë jo vetëm cilësi, por ndihmojnë në këtë mënyrë edhe ekonominë vendase.
Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh se bashkimi i operatorëve sot është jo vetëm një kërkesë e tregut, por edhe një kërkesë e sigurisë ushqimore. Ajo shprehu bindjen se me rritjen e numrit rekord të turistëve, edhe nevojat për konsum brenda vendit do të rriten, duke sjellë më shumë të ardhura për blegtorët dhe fermerët.
Ministrja shtoi kur të fillojnë aplikimet në datë 27 mars, 5-6 blegtorë apo fermerë, të cilët kanë më pak se 1 ha tokë, qoftë serra apo produkte në fushë, mund të bëhen bashkë dhe të firmosin një marrëveshje interesi.