Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber nënshkruan një marrëveshje për zbatimin e një projekti, i cili ka në fokus ngritjen e shkollës së ekselencës në drejtimin e Hoteleri-Turizmit në Tiranë.
Kjo u nënshkrua falë diskutimeve me Shkollën e Hotelerisë së Lozanës (EHL).
“Portofoli i gjerë i projekteve të bashkëpunimit midis Zvicrës dhe Shqipërisë për zhvillimin ekonomik, inovacionin, hapat e nevojshëm drejt një ekonomie më solide dhe formale, kapitalin njerëzor dhe kulturën, ishin gjithashtu në fokus të bisedave.
Falë diskutimeve me Shkollën e Hotelerisë së Lozanës (EHL), së bashku me Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri, nënshkruam sot marrëveshjen për zbatimin e një projekti i cili ka në fokus ngritjen e shkollës së ekselencës në drejtimin e Hoteleri-Turizmit në Tiranë”, tha ministri Gonxhja!
Një proces i cili do të shtrihet në disa hapa duke nisur me formulimin dhe përshatjen e programeve të studimit, e që do të plotësohet edhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Nxënësit dhe kursantët që do të jenë pjesë e kësaj shkolle do të diplomohen sipas Diplomës Profesionale të njohur nga EHL.