Ekonomia e Eurozonës u rrit me 0.3 % në tremujorin e parë të 2024, duke shënuar rritjen më të fortë që nga tremujori i tretë 2022. Inflacioni vjetor mbeti i qëndrueshëm në 2.4%, ndërsa inflacioni bazë u ngadalësua në 2.7%, duke hapur rrugën drejt uljes së parë të normës së BQE në qershor.
Rritja ekonomike në Eurozonë ka tejkaluar pritshmëritë e ekonomistëve në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që norma vjetore e inflacionit për muajin prill ka shfaqur ecuri të qëndrueshme krahasuar me muajin e kaluar.
Sipas vlerësimeve nga Eurostat, rritja vjetore e prodhimit të brendshëm bruto në eurozonë ishte 0.3% në tremujorin e parë të 2024 krahasuar me tremujorin e fundit të 2023. Kjo shënon një përmirësim të ndjeshëm nga rënia e raportuar më parë prej 0.1%.
Njëkohësisht, të dhënat paraprake nga zyra e statistikave të Bashkimit Evropian treguan se indeksi total i harmonizuar i çmimeve të konsumit mbeti i pandryshuar në 2.4% nga viti në vit. Norma vjetore e inflacionit bazë, e cila përjashton energjinë dhe artikujt ushqimorë, ra nga 2.9% në mars në 2.7% në prill.
Për Bashkimin Evropian, rritja gjithashtu arriti në 0.3% në tremujorin e parë 2024 krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Ndër vendet anëtare, Irlanda pa rritjen më të lartë me +1.1% krahasuar me tremujorin e mëparshëm, e ndjekur nga Letonia, Lituania dhe Hungaria, të gjitha me +0.8%. /Euronews