Një studim i ri sugjeron se heqja e plotë e sheqerit nga dieta mund të mos jetë gjithmonë zgjidhja më e mirë për shëndetin metabolik dhe atë të zorrëve.
Sipas një raportimi të publikuar nga The New York Post, studiues nga Instituti i Diabetit Dasman në Kuvajt zbuluan se eliminimi total i sakarozës (sheqerit të zakonshëm të tavolinës) nga një dietë me pak yndyrë mund të shkaktojë ndryshime të padëshiruara në mikrobiomën e zorrëve dhe të nxisë procese inflamatore në organizëm.
Gjetjet u prezantuan në takimin vjetor të Shoqatës Endokrinologjike në Çikago. Studiuesit ndoqën për 16 javë dy grupe minjsh: njëri grup ushqehej me dietë me pak yndyrë që përmbante sakarozë, ndërsa tjetri me dietë të ngjashme, por pa asnjë sasi sakaroze.
Në fund të eksperimentit, të dy grupet kishin peshë të ngjashme trupore. Megjithatë, minjtë që nuk konsumuan fare sakarozë shfaqën probleme të ndryshme shëndetësore, përfshirë kontroll më të dobët të glukozës në gjak, rezistencë ndaj insulinës, çekuilibër të baktereve të zorrëve, inflamacion intestinal dhe ndryshime që lidhen me sëmundjen e mëlçisë yndyrore.
Dr. Rasheed Ahmad, drejtues i Departamentit të Imunologjisë dhe Mikrobiologjisë në Institutin Dasman, tha se rezultatet tregojnë rëndësinë e ruajtjes së një ekuilibri ushqimor dhe jo vetëm fokusimin tek eliminimi i sheqerit.
“Studimi thekson rëndësinë e ruajtjes së karbohidrateve të balancuara në dietë për të mbështetur shëndetin e zorrëve dhe sistemit imunitar”, citohet të ketë thënë Ahmad.
Ekspertët sqarojnë se kjo nuk do të thotë se njerëzit duhet të konsumojnë më shumë sheqer të shtuar. Problemi kryesor mbetet konsumi i tepërt i sheqernave të shtuara në ushqime dhe pije të përpunuara, të cilat lidhen me rritjen e rrezikut për obezitet, diabet të tipit 2, sëmundje të zemrës dhe inflamacion kronik.
Sheqernat natyrale që gjenden në fruta, perime, drithëra dhe produkte të qumështit shoqërohen me fibra, vitamina dhe lëndë të tjera ushqyese që ndihmojnë organizmin t’i përpunojë më gradualisht.
Sipas të dhënave të cituara nga The New York Post, amerikanët konsumojnë mesatarisht rreth 17 lugë çaji sheqer të shtuar në ditë, shumë mbi kufijtë e rekomanduar nga Shoqata Amerikane e Zemrës. Kjo organizatë rekomandon që burrat të mos konsumojnë më shumë se 9 lugë çaji sheqer të shtuar në ditë, ndërsa gratë jo më shumë se 6 lugë çaji.
Megjithëse studimi është kryer tek minjtë dhe nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar efektet tek njerëzit, autorët besojnë se gjetjet mund të ndikojnë në mënyrën se si hartohen rekomandimet ushqimore në të ardhmen.
Burimi: The New York Post












