Në shtatë muajt e parë të këtij viti kanë hyrë në qarkullim për herë të parë 58.4 mijë automjete, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.
Në krahasim me një vit më parë, numri i mjeteve të regjistruara për herë të parë u rrit me 1.6%, ndërsa ky është niveli i dytë historik më i lartë pas 7 mujorit 2024, me 61.1 mijë mjete.
Vetëm në korrik u regjistruan 9.6 mijë mjete, me tkurrje prej 4.1% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Importet e mjeteve u ngadalësuan pas marsit, si rrjedhojë e vështirësive me transportin që u shfaqën pas konfliktit në ngushticën e Hormuzit, që rriti koston e automjeteve që vijnë nga Azia, ndonëse ato nuk kalonin direkt nga kjo ngushticë.
Pas një rritjeje rekord në mars dhe prill, duket se ka rënë disi interesi për mjetet elektrike. Në korrik, u regjistruan për herë të parë 682 të tilla, niveli më i ulët i këtij viti.
Gjithsesi, për 7-mujorin janë regjistruar gjithsej 6.4 mijë mjete elektrike, ose 2.6 herë më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s.
Mjetet elektrike përbënin 11% të regjistrimeve të mjeteve për herë të parë për periudhën janar-korrik.
Koreja e Jugut dhe Kina vijojnë të jenë tregjet kryesore nga ku shqiptarët po preferojnë të marrin automjetet dy vitet e fundit.
Për 7-mujorin, rreth 15 mijë mjete, ose rreth 26% e regjistrimeve për herë të parë, e kishin origjinën nga Koreja e Jugut. Tre vitet e fundit, Koreja e Jugut po dominon, për shkak të çmimeve më të lira të blerjes nga shteti i largët.
Kina është destinacioni i dytë prej një vit, e ndikuar nga shtimi i interesit për mjetet elektrike. Në janar-korrik, gati 9.5 mijë mjete të regjistruara për herë të parë e kishin origjinën nga Kina, ose 16.2% e totalit.
Gjermania dhe Italia, dy shtetet e dikurshme dominuese, kanë kaluar në vend të tretë dhe të katërt, përkatësisht me 6.9 dhe 6.8 mijë mjete për 7 mujorin.
Në total, numri i mjeteve që qarkullojnë në vend arriti në rreth 1.1 milionë në fund të korrikut./Monitor











