Shqipëria synon të përshpejtojë kalimin drejt pagesave digjitale, me objektivin që ato të përbëjnë të paktën 60% të të gjitha pagesave deri në vitin 2028, nga 16% që ishte niveli i raportuar në vitin 2024. Megjithatë, pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës teknologjike dhe zgjerimit të shërbimeve online, përdorimi i pagesave elektronike në jetën e përditshme mbetet i ulët.
Sipas të dhënave të Global Findex, vetëm 46,1% e të rriturve në Shqipëri kanë një llogari financiare, kundrejt mesatares prej 76,9% në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, të bazuara në regjistrat administrativë, tregojnë një nivel prej 85%, por raporti i shpjegon këto diferenca me metodologjinë e ndryshme të matjes.
Dallimi bëhet edhe më i dukshëm te përdorimi real i pagesave. Vetëm 11,1% e të rriturve kryejnë pagesa digjitale te tregtarët, ndërsa në rajon kjo shifër arrin në 36,9%. Edhe bizneset vijojnë të mbështeten te paraja fizike: vetëm 43% e shitjeve të kompanive paguhen elektronikisht, krahasuar me 73,8% në rajon. Një tjetër tregues i kësaj varësie është pesha e parasë fizike në ekonomi, ku monedha në qarkullim përbën 24,6% të parasë së gjerë, një nga nivelet më të larta në rajon.
Megjithatë, vitet e fundit janë shënuar përparime. Gjatë periudhës 2021–2025, vlera e transaksioneve me karta bankare u rrit mesatarisht me 18% në vit, ndërsa numri i tyre me 26%. Po ashtu, përqindja e blerjeve online u rrit nga 21,4% në 45,4%, megjithëse një pjesë e konsiderueshme e porosive vijon të paguhet me para në dorëzim.
Infrastruktura digjitale përbën një nga avantazhet e vendit. Shqipëria ka mbulim 4G prej 99,6%, penetrim të smartfonëve prej 93% dhe rreth 3,3 milionë përdorues të regjistruar në platformën e-Albania, e cila ofron mbi 1.200 shërbime online. Megjithatë, vetëm rreth 75% e këtyre shërbimeve mundësojnë edhe kryerjen e pagesave në mënyrë elektronike.
Një zhvillim i rëndësishëm për integrimin financiar është përfshirja e Shqipërisë në skemën SEPA, e cila mundëson transferta më të lira dhe më të shpejta në euro. Që nga tetori 2025, transferta e kreditit përmes kësaj skeme ka ulur ndjeshëm kostot: për një transfertë prej 5.000 eurosh, komisioni ka zbritur nga 0,8% në 0,05%. Ndërkohë, sistemi i pagesave të menjëhershme pritet të nisë deri në fund të vitit 2026, një zhvillim që mund të lehtësojë më tej transaksionet mes individëve dhe bizneseve.
Pavarësisht këtij progresi, për tregtarët e vegjël pranimi i pagesave elektronike mbetet një kosto shtesë. Pajisjet POS kushtojnë nga 80 deri në 400 euro, ndërsa qiraja mujore nis nga 5 deri në 15 euro. Komisionet për transaksionet variojnë nga 1,5% në 3,5%, duke krijuar një barrë veçanërisht për bizneset me marzhe të ulëta fitimi.
Një tjetër çështje lidhet me kufijtë ligjorë të pagesave në para fizike. Aktualisht, kufiri për transaksionet mes bizneseve është 100.000 lekë, ndërsa për pagesat mes bizneseve dhe individëve arrin në 500.000 lekë, ose rreth 5.000 euro. Raporti i Bankës Botërore e konsideron këtë kufi të lartë për të nxitur përdorimin e pagesave elektronike në transaksionet e përditshme dhe rekomandon uljen e tij në të njëjtin nivel me kufirin për transaksionet mes bizneseve.
Në kuadër të formalizimit të pagesave, ishte parashikuar që deri në qershor 2026 bizneset mbi një prag të caktuar të ardhurash të detyroheshin të pranonin pagesa jo-cash. Për të mbështetur këtë proces, vlerësohej nevoja për instalimin e rreth 100.000 pajisjeve të reja POS deri në fund të vitit 2026. Paralelisht, Banka e Shqipërisë parashikohet të kufizojë komisionet interchange në 0,3% për kartat e kreditit dhe 0,2% për kartat e debitit, me synimin për të ulur kostot e pranimit të pagesave elektronike nga tregtarët.
Raporti rekomandon gjithashtu që pagesat ndaj institucioneve shtetërore të kryhen tërësisht në mënyrë digjitale, si dhe të krijohen standarde të përbashkëta API për open banking, duke marrë si referencë modelin Berlin Group. Një tjetër prioritet është lehtësimi i identifikimit elektronik të klientëve (e-KYC), përmes aksesit të rregulluar në të dhënat e gjendjes civile dhe përdorimit të nënshkrimeve elektronike sipas nivelit të rrezikut të transaksionit.
Kalimi drejt pagesave digjitale nuk shihet vetëm si një proces teknologjik, por edhe si një mundësi për të nxitur investimet, formalizimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Sipas vlerësimeve të raportit, potenciali ekonomik i këtij transformimi mund të arrijë në 90–190 milionë dollarë investime dhe të gjenerojë nga 2.400 deri në 5.000 vende pune.
Këto vlerësime përfshijnë punësimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë që mund të krijohet nga investimet e reja, por nuk përfaqësojnë një bilanc neto të vendeve të punës në ekonomi, pasi reduktimi i përdorimit të parasë fizike mund të pakësojë njëkohësisht edhe aktivitetet e lidhura me menaxhimin e saj.
Sfidë për Shqipërinë mbetet kalimi nga infrastruktura digjitale te përdorimi real i saj në ekonomi. Objektivi prej 60% deri në vitin 2028 kërkon jo vetëm më shumë pajisje POS dhe shërbime online, por edhe kosto më të ulëta për tregtarët, besim më të madh të konsumatorëve dhe një reduktim të varësisë së bizneseve nga paraja fizike.











