Prodhuesit e vajit të ullirit po vendosen në vështirësi të mëdha për shkak rënies drastike të çmimit të shitjes, duke paralajmërojnë braktisjen e kultivimit dhe madje prerjen e plantacioneve ekzistuese. Shqetësimi ngrihet nga Shoqata “Albanian Food Industry” e cila thekson se situata rrezikon investimet e kryera gjatë dekadës së fundit në ullishte dhe në mbi 270 fabrika të përpunimit të vajit të ullirit në vend.
Përballë kësaj situate, kërkohet ndërhyrje urgjente nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave për të analizuar përmasat e krizës dhe për të hartuar një paketë masash mbështetëse.
Sugjerimet e shoqatës në konsultim me fermerë dhe prodhues, përfshijnë certifikimin falas të vajit shqiptar, pezullimin e përkohshëm të importeve deri në fund të janarit, një fushatë kombëtare për promovimin e produktit vendas dhe detyrimin e subjekteve përfituese të fondeve publike apo lehtësive fiskale për të blerë vaj ulliri shqiptar të certifikuar.
Gjithashtu, kërkohet vendosja e çmimeve referencë për importet, si dhe krijimi i një task-force me 70% përfaqësues nga fermerët dhe fabrikat përpunuese, për të monitoruar zbatimin e masave.
“Albanian Food Industry”, vlerëson se dy muajt e ardhshëm konsiderohen vendimtarë, pasi fermerët duhet të kryejnë shërbimet agroteknike në ullishte. Mungesa e investimeve në këtë periudhë mund të sjellë rënie të mëtejshme të prodhimit vitin e ardhshëm.
Sipas propozuesve, kriza nuk rrezikon vetëm fermerët, por edhe fabrikat, punësimin rural, investimet dhe ekonominë në tërësi. Braktisja e prodhimit vendas mund të rrisë gjithashtu varësinë nga importet dhe ekspozimin e konsumatorëve ndaj çmimeve më të larta./Scan












