Nga 1 janari 2027, shtetasit shqiptarë do të kenë një tjetër mundësi për të punuar në Danimarkë, përmes një skeme të re që synon të sjellë punonjës nga vende jashtë Bashkimit Evropian.
Shqipëria është përfshirë në listën e 16 vendeve që do të mund të përfitojnë nga programi i ri danez, i cili do t’u japë kompanive mundësinë të rekrutojnë punonjës të huaj për të plotësuar nevojat për fuqi punëtore.
Në të njëjtën listë janë edhe Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Moldavia, Ukraina, India, Kina, Japonia, Australia, Brazili, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Malajzia dhe Singapori.
Për një punonjës shqiptar që synon të përfitojë nga kjo skemë, një nga kushtet kryesore është paga. Punësimi duhet të sigurojë një pagë minimale vjetore prej 322 mijë koronash daneze, që është rreth 43 mijë euro në vit.
Ky prag është më i ulët se ai i skemës së përgjithshme daneze për punësimin e shtetasve nga vende jashtë BE-së, ku në vitin 2026 kërkohet një pagë vjetore prej rreth 552 mijë koronash, ose afërsisht 70 mijë euro.
Megjithatë, nuk do të jetë një skemë ku çdo kompani mund të rekrutojë automatikisht punonjës nga jashtë. Punëdhënësi danez duhet të ketë të paktën dy vite aktivitet dhe të paktën 10 punonjës të përhershëm me kohë të plotë në Danimarkë. Kompania duhet gjithashtu të jetë e mbuluar nga një marrëveshje kolektive dhe të përmbushë kërkesat e autoriteteve daneze.
Rregullat synojnë të mbrojnë edhe punonjësit e huaj. Kompanitë që kanë pasur shkelje të rënda të rregullave të punës, probleme me pagat apo kushtet e punonjësve të huaj mund të mos lejohen të përdorin skemën.
Lejet e punës dhe të qëndrimit do të shqyrtohen nga Agjencia Daneze për Rekrutim Ndërkombëtar dhe Integrim. Certifikimi i kompanisë do të jetë fillimisht i vlefshëm për tre vjet dhe mund të zgjatet më pas deri në katër vjet.
Për shqiptarët, kjo do të thotë se nga viti 2027 do të ekzistojë një kanal i ri për të kërkuar punë dhe për të jetuar ligjërisht në Danimarkë, nëse plotësohen kushtet e skemës. Për kompanitë daneze, qëllimi është të sigurojnë punonjësit që u nevojiten, duke ruajtur rregullat për pagat dhe kushtet e punës.












