Ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale të vitit 2027 sjellin një rishikim të mënyrës së taksimit të pagave, me përfitime për një pjesë të konsiderueshme të punonjësve, por edhe me një barrë më të lartë për ata që kanë të ardhura të larta. Megjithatë, jo të gjithë do ta ndiejnë njësoj këtë ndryshim në xhepin e tyre, veçanërisht punonjësit që kanë kontrata pune me pagë neto të përcaktuar.
Sipas skemës së re, fasha e tatimit me 13% do të zgjerohet dhe do të përfshijë pagat nga 200 mijë deri në 300 mijë lekë bruto në muaj. Për pagat nga 300.001 deri në 700 mijë lekë do të aplikohet norma 23%, ndërsa për të ardhurat mbi 700 mijë lekë tatimi do të jetë 30%. Ndërkohë, mbetet në fuqi zbritja prej 30 mijë lekësh dhe përjashtimi nga tatimi për të ardhurat deri në 50 mijë lekë.
Për punonjësit me paga deri në 200 mijë lekë bruto nuk parashikohet asnjë ndryshim. Ndërsa ata që marrin 250 mijë lekë bruto në muaj pritet të përfitojnë rreth 5 mijë lekë më shumë në pagën neto çdo muaj.
Përfitimi më i madh do të jetë për punonjësit me paga nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë bruto, të cilët mund të marrin rreth 10 mijë lekë më shumë në muaj, ose 120 mijë lekë në vit. Kjo nuk vjen si rezultat i uljes së normës së tatimit prej 23%, por nga zgjerimi i fashës që tatohet me 13%. Pra, 100 mijë lekë të pagës që deri më tani tatoheshin me 23%, me skemën e re do të tatohen me 13%.
Por ndryshimi nuk është pozitiv për të gjithë. Për pagat e larta, përfitimi gradualisht zhduket dhe kthehet në një barrë më të madhe tatimore. Pika e barazimit llogaritet rreth 843 mijë lekë bruto në muaj. Kjo do të thotë se punonjësit që paguhen mbi këtë nivel do të nisin të paguajnë më shumë tatim krahasuar me skemën aktuale. Për shembull, për një pagë bruto prej 1 milion lekësh në muaj, barra tatimore pritet të rritet me rreth 11 mijë lekë.
Sipas të dhënave të paraqitura në relacionin shoqërues të paketës fiskale, nga ndryshimet pritet të përfitojnë rreth 25.704 punonjës, ndërsa për rreth 1.293 të tjerë barra tatimore do të jetë më e lartë.
Një tjetër çështje që meriton vëmendje lidhet me mënyrën se si janë negociuar kontratat e punës. Për punonjësit që kanë rënë dakord me punëdhënësin për një pagë neto fikse, ulja e tatimit nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata do të marrin më shumë para në fund të muajit.
Në këto raste, punëdhënësi ka detyrimin të garantojë të njëjtën pagë neto të përcaktuar në kontratë. Meqenëse tatimi mbi pagën do të jetë më i ulët, për të siguruar të njëjtën shumë neto do të nevojitet një pagë bruto më e vogël. Kjo do të thotë se përfitimi nga ndryshimi fiskal mund të mbetet te punëdhënësi dhe jo te punonjësi.
Për një pagë bruto prej 250 mijë lekësh, kursimi për punëdhënësin në këto kushte llogaritet rreth 6 mijë lekë në muaj.
Megjithatë, kjo ulje e pagës bruto mund të ketë pasoja për punonjësin në një aspekt tjetër, atë të pensionit. Me një pagë bruto më të ulët, zvogëlohet edhe baza mbi të cilën llogariten përfitimet e ardhshme pensionale. Pra, edhe nëse punonjësi vazhdon të marrë të njëjtën shumë neto çdo muaj, në afatgjatë mund të ketë një efekt negativ në pensionin e tij.
Ndërkohë, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore mbeten të pandryshuara.
Në fund, ndryshimet e reja sjellin një lehtësim të ndjeshëm për një pjesë të punonjësve, por efekti real në të ardhurat e tyre do të varet edhe nga mënyra se si janë hartuar kontratat e punës. Për këtë arsye, përveç shumës që marrin çdo muaj, punonjësit duhet të kenë parasysh edhe pagën bruto të deklaruar, pasi ajo ndikon drejtpërdrejt në përfitimet e tyre afatgjata.










